Kur kaloj në bulevard e përballem me bunkerin që ngrihet madhërishëm mu në mes të Tiranës, në oborrin e Ministrisë së Brendshme, aty për aty më shfaqet parasysh gjithçka pashë e jetova në komunizëm. Historitë e dy gjyshërve të mi të pushkatuar, të xhaxhait të ekzekutuar, të babait të burgosur për 16 vjet dhe gjithë diskriminimin dhe përbuzjen që ndjeva në çdo hap të fëmijërisë qysh kur hodha hapin e parë.
Bota që unë njoha nga dita, kur linda deri në vitin 1990 ishte një botë e mbushur plot urrejtje ndaj meje, një botë që arsyen dhe qënësinë e saj e gjente tek urrejtja dhe shtypja ndaj meje, ndaj familjes sime dhe mijëra të tjerëve si ne, vetëm sepse mendonim ndryshe. Ndaj kam kohë që e shmang atë rrugë dhe do të doja që nevoja mos më çonte kurrë andej.
Gjatë gjithë këtyre kohëve që Edi Rama po ringjall bunkerë dhe objekte të Sigurimit dhe të diktaturës, me pretekstin e muzeumeve – ndërkohë që rrënojat e qytetërimeve antike i ka lënë të shkatërrohen nën peshën e betonit të pallateve të klientëve – gjatë gjithë kesaj kohe kam pyetur veten se çfarë kujton Edi Rama nga e shkuara, të cilën ka vendosur ta ringjallë në muzeume. Dhe bashkë me të, çfarë ndjejnë fëmijët e ish-anëtarëve të Byrosë, të anëtarëve të Komiteti Qendror, të sekretarëve të partisë.
Ndoshta ka prej tyre që ndjejnë nostalgji për atë kohë, të cilën etërit e tyre ishin zotër të vendit, zotër të jetës së kujtdo, zotër të fatit tim.
Ndoshta ata e kujtojnë me nostalgji fëmijërinë e tyre, mbushur me lumturi dhe gëzime, me siguri për të ardhmen. Për ata, fëmijëria ka qënë një rritje pa andralla, pa kufizime: mund të bënin çfarë të donin dhe mund të bëheshin çfarë të donin, apo çfarë donin prindërit e tyre. Mund të bëheshin “të talentuar” edhe kur nuk kishin talent. Mund të bëheshin edhe intelektualë pa patur intelekt. Të ishe çfarë të ishe, ishte e sigurtë që do ngjiteshe në majë.
Nga fëmijëria unë kam pak kujtime që dua t’i kujtoj. Kam kohë madje që dua të shlyej nga mendja një nga makthet e fëmijërisë time, të projektuar pikërisht në godinën që sot e hijeshon bunkeri komunist—pamjen e operativit të punëve të brendshme, i cili vinte në mes të natës dhe na nxirrte të gjithëve në oborr me teshat e natës, ndërsa ai dhe policët e tij kontrollonin shtëpinë për materiale propagande apo prova të tjera të veprimtarisë sonë “armiqësore”. Sepse mbajtja në terror të vazhdueshëm e “armiqve” ishte një nga mjeshtëritë e njerëzve që punonin në atë godinë ngjitur me bunkerin.
Të ishe fëmijë në një familje të përndjekur politikisht në komunizëm, si e imja, do të thotë të lindje në përbuzje dhe të jetoje gjithë jetën e përbuzur. Kjo ishte fëmijëria ime.
Të ishe fëmijë në një familje të elitës komuniste garantonte një jetë të sigurt plot privilegje, ndërtuar mbi urrejtjen dhe përbuzjen ndaj atyre si unë. Kjo ka qenë fëmijëria e zotit Rama dhe shumë nga ata që sot ndërtojnë bunkerë e muzeume për etërit dhe kënaqësinë e tyre perverse.
Kohët u duk se ndryshuan më 1990, dhe koha e re mendohej se do të na bënte të barabartë në të tashmen, pavarësisht pabarazisë së të shkuarës. Por, shpejt u pa se barazia ishte e pamundur qysh në ditët e para të pas 8 dhjetorit 1990. Se si shkoi historia e ish-të përndjekurve politikë, tashmë dihet. I pari Ramiz Alia, më pas Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama e të tjerë u “kujdesën” që të përndjekurit politikë të vazhdojnë të shpërfillen dhe të harrohen, madje të vazhdojnë të denigrohen.
Dhe ja sot, pas 26 vitesh Unë dhe Edi Rama jemi dy “fëmijë” po aq të ndryshëm sa ç’ishim në komunizëm.
Sot mua më duhet të “shijoj” veprat e artit të Ramës kryeministër—Bunk’Artin, Shtëpinë e Gjetheve, bunkerin komunist para Ministrisë së Brendshme.
Por nuk kam parë ende muzeun e kampit të internimit në Tepelenë, ku ishte edhe nëna ime me dy fëmijë të mitur, muzeun e burgut të Burrelit, Spaçit, Qafë Barit apo ndonjë burgu tjetër komunist, ku kaloi rininë im atë.
Nuk kam parë ende muzeun për kampet e internimit në Turan, Berat, Kuçovë, Porto-Palermo, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, atje ku jetuan ç’njerëzisht të ngjashmit fëmijë me mua në komunizëm.
S’kam parë muzeun e 45 viteve të zeza të jetës së fëmijëve si unë në komunizëm… dhe ka pak gjasa t’i vijë rradha atij muzeu.
Në Austri, dy ditë më parë, qeveria vendosi të shembë shtëpinë ku lindi diktatori nazist Adolf Hitler, një shtëpi private, kundër dëshirës të të zotit të saj. Mbi gërmadhat e saj parashikohet të ndërtohet një tjetër godinë, e cila nuk do të ketë asnjë lidhje me diktatorin nazist.
Qeveria austriake argumenton, se vendimi ka për qëllim zhdukjen e trashëgimisë neo-naziste. Austriakët nuk duan më, që kjo ndërtesë e diktatorit të jetë pikë reference për turistët që vizitojnë Austrinë.
Ata nuk do të mund ta zhdukin dot nga historia të keqen e nazizimit, por më së paku fëmijët, të rinjtë e sotëm e brezat që do të vijnë në Austri, nuk do ta kenë më para sysh atë ndërtesë, ku lindi diktatori famëkeq.