Ditën e dielë më 22 tetor, qytetarët kosovarë votuan për të zgjedhur drejtuesit e 38 komunave.
Rezultatet
Vetëm në gjysëm e komunave, 19, kanë arritur të dalin fitues të qartë, me më shumë se 50 për qind të votave.
Në 19 prej komunave, përfshira disa prej komunave kryesore si Prishtina, Prizreni, Gjakova, Mitrovica e Gjilani, do të ketë një raund të dytë pasi asnjë prej kandidatëve nuk ka arritur të fitojë më shumë se 50 për qind të votave.
Lëvizja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur të fitojë që në raundin e parë 4 komuna, ndërkohë që do të përballet në balotazh në 10 komuna të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Isa Mustafës ka fituar vetëm një komunë, por do të shkojë në balotazh në 10 komuna të tjera. Në këto zgjedhje PDK ka arritur rezultatin më të ulët në gjithë historinë e saj në komunën e Prishtinës, me një rezultat prej 5,7 për qindësh.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinaj ka fituar 2 komuna dhe do të përballet në balotazh në 2 të tjera.
Lista Serbe ka mundur të fitojë në 10 komuna dhe do të shkojë në balotazh në një komunë tjetër.
Ndërkohë që dy komuna, Skënderaj dhe Hani i Elezit janë fituar nga kandidatë të pavarur.
Rezultat i papritur është ai i lëvizjes Vetëvendosja, e cila pas daljes në vend të parë në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, kishte pritshmëri të larta. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë asnjë prej 19 komunave ku ka përfunduar numërimi dhe janë shpallur fituesit.
Në Prishtinë, komunë të cilën Vetëvendosja e kishte quajtur si kalin e saj të betejës, – komuna drejtohej prej katër vitesh nga Shpend Ahmeti i VV, – do të duhet një raund i dytë për të zgjedhur fituesin. Në garë janë Shpend Ahmeti i VV-së dhe Arban Abrashi i LDK-së. Në raundin e parë Shpend Ahmeti mori 44 për qind të votave, ndër Arban Abrashi 35 për qind, por edhe pse jo publikisht, ka zëra se Abrashi ka mbështetjen dhe të partive të tjera si PDK, AAK e AKR.
Kandidatët e Vetëvendosjes do të përballen në balotazh dhe në 6 komuna të tjera.
Në rand kombëtar, kur janë numëruar 95 për qind të votave në vend të parë renditet LDK, në vend të dytë PDK, në vend të tretë Vetëvendosja dhe në vend të katër AAK.
Zgjedhjet për raundin e dytë do të zhvillohen pas katër javësh.
Vlerësimet
Zgjedhjet morën përgjithësisht vlerësime positive nga Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian.
“Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, pa incidente të mëdha dhe në përgjithësi zgjedhjet janë vlerësuar pozitivisht nga vëzhguesit tanë të BE-së”, deklaroi Alojz Peterele, kreu i Misionit në Kosovë.
Të vetmet shqetësime janë hasur në disa komuna me shumicë serbe ku ka pasur kërcënime dhe presione ndaj qytetarëve dhe subjekteve politike që nuk janë pjesë e Listës Serbe, e cila mbështetet nga Serbia. Këto zona, sipas Peterele, nuk i kanë arritur standardet evropriane dhe ndërkombëtare për zgjedhje të lira e demokratike.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po ashtu ka dhënë vlerësime positive për zgjedhjet e 22 tetorit.