Shumica e partive të Kosovës i shprehën të mërkurën Presidentit Hashim Thaçi se ishin kundër shpërbërjes së parlamentit dhe vajtjes në zgjedhje të parakohshme.
Në një tryezë të thirrur nga Thaçi, drejtuesit e partive politike deklaruan dakordësinë e tyre për të shqyrtuar mundësinë e mandatimit të një qeverie të re.
Presidenti Thaçi e arsyetoi tryezën e thirrur me faktin se kishte hasur në injorimin e vazhdueshëm nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti për të propozuar një emër për t’i mandatuar krijimin e qeverisë.
Kryeministri Kurti nuk ishte i pranishëm në tryezë pasi e cilësoi joserioze ftesën vetëm 3 orë përpara. Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohej nga Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, e cila e konsideroi takimin dhe veprimin e Presidentit si antikushtetues.
Thaçi u drejtoi secilit prej drejtuesve të partive politike pyetjet konkrete nëse janë dakord për shpërndarjen e parlamentit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, apo për shqyrtimin e mundësisë për formimin e një qeverie të re.
Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Nisma për Kosovën dhe partitë e komuniteteve serbe, boshnjake turke dhe rome u shprehën kundër shpërbërjes së parlamentit dhe vajtjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Gjatë së mërkurës pati raportime se LDK dhe AAK zhvilluan takime për të diskutuar rreth një koalicioni të mundshëm qeveritar.
Kryetari i PDK-së Kadri Veseli u shpreh në tryezë kundër vajtjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, po kështu kundër marrëveshjeve politike që po bëhen për qeveri të re.
Veseli ritheksoi deklaratat e mëhershme se PDK-ja do të mbetet në opozitë duke refuzuar propozimet që do të vijnë.
Presidenti Thaçi e konsideroi deklarimin në tryezë si shprehje të vullnetit të 91 deputetëve kundër vajtjes në zgjedhje të parakohshme.
Ai këmbënguli se nuk i takon atij të propozojë emër për qeverinë e re, dhe kujtoi se mandatari për formimin e saj vjen nga partia që ka më shumë deputetë në parlament.
Kjo parti është Lëvizja Vetëvendosje, që ka 29 deputetë, ndërsa LDK ka 28 deputetë.
Nuk është e qartë se si do të vijë zgjidhja e kësaj krize politike, por duhet theksuar se Vetëvendosje nuk ka më shumicën në parlament, atje ku qeverisë së re i duhen mbi 61 vota.
Më 25 mars, pas vetëm 50 ditësh në detyrë, qeveria e Kurtit u rrëzua në parlament pas një mocioni mosbesimi.
Mocioni ishte thirrur nga aleati i Kurtit, Isa Mustafa. Kjo solli krisjen e koalicionit qeverisës Vetëvendosje-LDK pas një periudhe përplasjesh politike rreth çështjes së heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe.
Pas rrëzimit të qeverisë, Presidenti Thaçi i ka kërkuar 5 herë Kurtit emër tjetër për qeverinë e re. Por ky ka vendosur të mos propozojë njeri.
Kurti këmbëngul duke iu referuar Kushtetutës dhe rasteve të viteve 2010 dhe 2017, se Presidenti duhet të thërrasë zgjedhje të reja, por Thaçi, dhe tashmë shumica e partive janë shprehur kundër me argumentin se zgjedhjet nuk janë të mundshme për shkak të epidemisë.