Organizata Botërore e Shëndetit ka shprehur shqetësimin që shumë vende nuk po e marrin seriozisht krizën e koronavirusit, edhe pas shpërhapjes së madhe në Europë dhe SHBA.
Në një deklaratë për shtyp, drejtuesi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh:
“Kjo epidemi është një kërcënim për çdo vend, i pasur dhe i varfër. Kjo nuk është stërvitje.
Ne jemi të shqetësuar se disa vende ose nuk e kanë marrë seriozisht, ose mendojnë që nuk ka asgjë që mund të bëjnë për ta luftuar.”
Tedros u bëri thirrje krerëve të qeverive në çdo vend që të marrin masa dhe të koordinojnë të gjithë sektorët dhe institucionet e vendit dhe jo t’ia lënë barrën vetëm sektorit të shëndetësisë:
“Këto janë strategji që fillojnë me udhëheqjen nga lart, duke koordinuar çdo pjesë të qeverisë, jo vetëm ministrinë e shëndetësisë, por dhe sigurinë, diplomacinë, financat, tregtinë, transportin, informacionin dhe më shumë, e gjithë qeveria duhet të përfshihet.”
Ajo që është e nevojshme, tha ai, është “gatishmëria agresive”.
Drejtuesi i OBSH-së tha se deri tani 115 shtete nuk kanë raportuar zyrtarisht asnjë rast të prekur me koronavirus. Mes këtyre vendeve është dhe Shqipëria.
Deri më 5 mars, Ministria e Shëndetësisë ka lajmëruar se janë bërë 50 testime tek persona të dyshuar, por të gjitha rastet kanë rezultuar negativë.
Për tu informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni:
– Koronavirusi – shtrirja dhe vdekjet e deritanishme (kliko këtu)
– Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin (kliko këtu)
– 9 pyetjet më të shpeshta rreth koronavirusit (kliko këtu)
– Masa më e efektshme për parandalimin e prekjes nga koronavirusi (kliko këtu)