Organizata e Kombeve të Bashkuara ka nisur hetimin ndaj qeverisë shqiptare për arrestimin e ekstradimin e shtetasit turq Harun Çelik dhe arrestimin e Selami Simsekut, i cili pritet të ekstradohet së shpejti.
Dy turqin e arrestuar në Shqipëri akuzohen nga qeveria turke si pjesë e rrjetit gylenist – cilësuar nga qeveria turke si organizatë terroriste, organizatore e puçit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Arrestimi, refuzimi i kërkesës së tyre për azil dhe estradimi i njërit prej tyre në Turqi dyshohet se janë bërë në shkelje të drejtave të njeriut.
Simsek dhe Çelik u arrestuan teksa po udhëtonin në aeroportin e Rinasit, tranzit për në Kanada me pasaporta false.
Çeliku u dënua me 5 muaj burg për dhe pas shlyerjes së dënimit u dërgua në Turqi, pavarësisht se kishte kërkuar azil politik.
Me të mbërritur në Turqi, Harun Çelik u përball me akuzat e pjesëmarrjes në organizatën e Gülen dhe u arrestua.
Pas tij, në fund të janarit 2020, edhe Simseku u dënua me 1 vit burg për falsifikim dokumentesh. Atij iu refuzua kërkesa për azil në Shqipëri, megjithëse i rrezikohej jeta në rast ekstradimi në Turqi. Dyshohet se ai po mbahet jashtë çdo rregulli në Ministrinë e Brendshme, e cila po përgatit ekstradimin e tij në Turqi.
Delegacioni i BE-së në Tiranë ka pohuar për Exit News se qeveria shqiptare duhet të ndiqte procedurat ligjore dhe detyrimet ndërkombëtare për këto dy shtetas. Dëbimin e Çelikut, Këshilli i Europës e quajti shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa eurodeputetja Ramona Strugariu, i ka kërkuar shtetit shqiptar të bëjë transparente procedurat që u ndoqën për dërgimin e tij në Turqi.