Oligarkia, vezokracia, plutokracia, kleptokracia dhe autokracia

Oligarkia, vezokracia, plutokracia, kleptokracia dhe autokracia

Gjatë këtyre ditëve të fundit, klasa drejtuese shqiptare etiketohet shpesh në gazeta me terma jo shumë të zakonshëm, disa krejt të rinj e disa të tjerë që të kujtojnë një tjetër stinë politike:

Oligarkia është sundim i një grup të vogël njerëzish. Një oligark është një njeri që, së bashku me pak të tjerë, ka fuqi gati absolute mbi një vend. Ky term është përdorur shpesh nga analistë dhe komentues shqiptarë për të përshkruar situatën aktuale të vendit, i cili faktikisht kontrollohet nga një grup njerëzish të pasur, të cilët janë të aftë të kushtëzojnë politikat dhe zgjedhjet ekonomike e politike të qeverisë. Në gjuhën e përditshme si oligarkë përkufizohen milionerët e mëdhenj, miq të përhershëm të pushtetit, gjithmonë fitues fondesh publike e mbi të gjitha të konçesioneve.

Vezokracia nuk ka një kuptim të mirëfilltë, por nënkupton një sistem në të cilin komandon ai që përdor vezën. Është një term i shpikur rishtazi nga Edi Rama për të bërë një batutë pasi në drejtim të tij u hodhën vezë në Parlament. Mund vetëm të deduktojmë që Kryeministri donte të tallte atë grup deputetësh demokratë që i hodhën vezë, duke i përkufizuar si persona, fuqia e të cilëve bazohet tek vezët.

Plutokracia nënkupton qeverinë e të pasurve të mëdhenj. Një plutokrat është një njeri shumë i pasur dhe i fuqishëm që ndikon, së bashku me disa të tjerë, të pasur si ai, politikën dhe qeverinë. Termi, i përdorur shpesh nga Musolini për të tregur “armikun” e vërtetë të popullit fashist, “plutokracitë hebreo-masonike” që vendosnin fatet e popujve, në sigurinë e vilave të tyre të mëdha. Ky term, është ripërdorur, së fundmi, nga mediat sociale për të përshkruar situatën e vërtetë politike shqiptare — një grusht sipërmarrësish tmerrësisht të pasur, pronarë mediash, gjithmonë miq të qeverisë së radhës, pavarësisht ngjyrës së saj, të cilët janë përfituesit e vërtetë të politikave të dyshimta dhe pak transparente që qeveria dhe Bashkia e Tiranës po zbatojnë në parkun e liqenit.

Kleptokracia është një tjetër përcaktim i adoptuar nga politika shqiptare, saktësisht nga Sali Berisha në fillimi të viteve 2000, për të përshkruar qeverinë socialiste të atëhershme të drejtuar nga Fatos Nano. Kleptokracia është e përbërë nga persona të varur në mënyrë të papërmbajtshme nga vjedhja dhe nga pasurimi personal. Kleptokracia është në fakt një neurozë që shtyn personin që vuan prej saj të përvetësojë gjëra pavarësisht vlerës së tyre reale. Kleptomani është, pra, një hajdut kompulsiv.

Në fund, autokracia është një formë pushteti, në të cilin një individ ka pushtet të pakufizuar. Është sinonim i diktaturës, por në krahasim me oligarkinë—ku fuqia është në dorë të pak personave—termi autokraci tregon një fuqi absolute, si ajo e perandorëve romakë, ose e Hitlerit apo Stalinit, ose Enver Hoxhës, ose, aktualisht, diktatorit të Koresë së Veriut Kim Jong II.

Përmendja gjithmonë e më e shpeshtë në media i këtyre termave dëshmon mungesën e demokracisë dhe legjitimitetit që përjetohet aktualisht në Shqipëri, të paktën në perceptimin e shumë vëzhguesve që i përdorin shpesh këto terma. Por, duke parë historinë personale të shumë prej tyre, dhe historinë tragjike shqiptare, kjo temë do të meritonte refleksione dhe diskutime më të thella.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>