ONM kundër vendimit të KPK-së, kërkon shkarkimin e Bashkim Dedes

Nga Exit News
ONM kundër vendimit të KPK-së, kërkon shkarkimin e Bashkim Dedes

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kundërshtuar vendimin e KPK-së për rikonfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.

Për këtë arsye, ONM i ka kërkuar Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e KPK-së. Komisionerët Publikë, nëse e pranojnë kërkesën e ONM-së, kanë afat deri më datë 28 korrik për ta ankimuar vendimin.

Kjo është hera e parë që përfaqësuesit e huaj të ONM-së bëjnë një kërkesë të tillë.

Kujtojmë se Bashkim Dedja u konfirmua në detyrë disa javë më parë, megjithëse KPK gjeti shkelje në deklarimin e tij të pasurisë.

Bëhet fjalë për probleme me tre apartamente në pronësi të Bashkim Dedes:

1. Për një apartament me sipërfaqe 146 metra katrorë në Tiranë, Dedja ka thënë se ka marrë kredi prej 120 mijë eurosh, ka përdorur kursimet prej 35 mijë eurosh dhe ka marrë dy hua me vlera 10 dhe 15 mijë euro të marra tek kunati dhe vëllai i Dedes. Hetimi administrativ i KPK-së zbuloi r se kunati dhe vëllai i Dedes nuk i justifikojnë këto kursime.

Deklaratat e Zotit Dede mbi personat që i kanë dhënë borxh janë të dyshimta. Ai shprehet se i ka marrë borxh kunatit dhe më pas thotë se i ka marrë borxh babit të kunatit. Gjithashtu, deklaratat noteriale të paraqitura nga Zoti Dede për marrjen e huave kishin probleme— kunati, një prej kredidhënësve nuk kishte firmosur deklaratën noteriale.

Për këtë rast, avokati mbrojtës Maks Haxhia tha se të dy huadhënësit kishin qenë emigranët dhe si të gjithë emigrantët shqiptar kishin mungesë dokumentacioni për të vërtetuar kursimet.

2. Për një tjetër apartament 98 metra katrorë po në Tiranë, KPK ka gjetur sërish paqartësi në deklarim. Fillimisht në vitin 2003, Dedja ka thënë se ka në pronësi vetëm 50 për qind të apartamentin, ndërsa pjesa tjetër është e vëllait. Më pas, gjatë plotësimit të dokumenteve të vetingut, Dedja ka deklaruar se apartamentin e zotëron 100 për qind, pa vënë në dispozicion dokumentet e blerjes. Më pas gjyqtari ndërroi sërish deklarim, duke iu rikthyer variantit fillestar.

3. KPK ngriti dyshime dhe për deklarimet e ndryshme që gjyqtari ka bërë pranë ILDKPKI-së për një apartament në plazhin e Durrësit.  Për të njëjtën pronë, kontrata e energjisë është në emër të gjyqtarit, ndërsa pronësia apartamentit është në emër të vëllait të Bashkim Dedes, me profesion fermer në një fshat të Dibrës.

Të gjitha këto paqartësi, avokati Haxhia i justifikoi me “lidhjen mes vëllezërve në Shqipëri.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>