Qeveria garantoi sot se ka marrë masa për t’i paraprirë sezonit të gripit dhe në rastin më të keq ardhjes së koronavirusit të ri nga Azia, por opozita e konsideroi propagandë të shfrenuar.
Në Komisionin e Shëndetësisë, Ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh sot se “vendi ndodhet në intensitet shumë të lartë të gripit” por që “strukturat shëndetësore janë në gatishmëri, me barna dhe materiale mjekësore për të përballuar situatën”.
Mirëpo ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia, e konsideroi situatën shqetësuese sidomos për fëmijët në pediatrinë e QSUT-së. Ai denoncoi në Facebook faktin se me dhjetëra prindërve u duhet të presin gjatë për t’u shërbyer në qendrat spitalore, ndërsa qeveria bën propagandë.
“Si mund të vetëlavdërohesh, kur nuk menaxhon dot situatën e gripit të stinës, kur gjithë bota është në alert maksimal për shkak të Koronavirusit? As fëmijët nuk janë arsye, më së paku për të heshtur, e jo për të shfrenuar delirin?”
Zyra për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë u shpreh se për të përballuar fluksin, dhe shmangur ngarkesën e pediatrisë, janë hapur 4 qendra shëndetësore 24 orëshe me 218 mjekë e infermjerë në Tiranë – në Kombinat, Laprakë, në zonën e ish-Bllokut dhe zonën e Oxhakut.
Instituti i Shëndetit Publik raportoi për javën e shkuar 23 për qind rritje të infeksioneve respiratore duke vënë në dukje situatën e vështirë. Ministrja Manastirliu tha në Komisionin e Shëndetësisë se Shqipëria fatmirësisht nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi i ri. Ajo siguroi se janë marrë të gjitha masat, sipas protokolleve të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Kemi gati një strukturë pritëse për karantinën, me personelin e trajnuar, nëse do të jetë e nevojshme”.
Ministrja tha se janë testuar 5 raste për koronavirusin, të cilat kanë rezultuar negative. Ish-deputeti i opozitës Spahia, vuri në diskutim masat e marra duke pyetur:
“Cfarë masash janë marrë për koronavirusin e ri, kur ende nuk ekzistojnë hapësirat për karantinë, apo ju quani karantinë, dy dyshekë ne një kolibe? Ku janë bokset speciale izoluese për të sëmurët që mund të paraqiten? E turpshme Zonja Ministre që në funksionin ku jeni, zgjidhni vetëm të zbatoni urdhëra e një vizion shkatërrues për shëndetësisë e aspak udhëzimet e OBSH, siç pretendoni […]”.