Ministria e Shendetësisë shpalli sot fitues të koncesionit të laboratorëve spitalorë në të gjithë spitalet e vendit bashkimin e kompanive Labopharma Sh.p.k (41,7 për qind), Exalab France (25 për qind) dhe AB Laboratory Solutions B.V (33,3 për qind) Hollandë, kjo e fundit përfaqësuar nga Labopharma sh.p.k.
Në konkurim morën pjesë nëntë kompani. Gjashtë prej tyre u skualifikuan për mos paraqitje oferte apo mungesë dokumentacioni. Konsorciumi fitues kishte çmimin më të ulët nga katër konkurentët e mbetur.
Në dhjetor 2016, Ministria e Shëndetësisë hapi tenderin për dhënien me koncesion të 18 laboratorëve spitalorë në të gjithë vendin.
Sipas dokumentave të tenderit, koncesioni do të kushtojë rreth 13 miliardë lekë (afërsisht 95 milionë euro) dhe do të zgjasë 10 vjet, pra do të kushtojë rreth 10 milionë euro në vit.
Kriteret për përzgjedhjen e koncesionarit linin shteg për ndikim në procesin e përzgjedhjes së fituesit, pasi kriteret teknike, të cilat përbënin 70 për qind të totalit të pikëve, ishin krejtësisht subjektive.
Kompania fituese duhet të paguajë kostot dhe shpenzimet e lidhura me përgatitjen e ofertës së konkurimit, ku përfshihen 600 mijë euro për IFC-në, 30 mijë euro për Autoritetin e Trajtimit të Koncesioneve, ATRAKO dhe 3 mijë euro për autoritetin kontraktues.
Në mënyrë të pashpjegueshme, kompanitë e skualifikuara që dëshirojnë të ankimohen duhet të paguajnë një tarifë prej 26 milionë lekë (afërsisht 200 mijë Euro) të pakthyeshme që ankimimi i tyre të konsiderohet. Vënia e kësaj tarife e bën praktikisht të pamundur ankimimin, pasi është e paarsyeshme të mendohet që dikush do të humbiste rreth 200 mijë euro, thjesht për t’u dëgjuar pa patur asnjë garanci nëse ankesa do të pranohet.
Me këtë koncesion, totali i koncesioneve që ka dhënë qeveria Rama në tre vjet në fushën e shëndetësisë – kontrolli shëndetësor (Check up), sterilizimi, hemodializa dhe shërbimi i laboratorëve — do të kushtojnë të paktën 33 milionë euro në vit.