Parlamenti Europian: Sundimi i ligjit ka bërë hapa pas në Shqipëri dhe Ballkan

Parlamenti Europian: Sundimi i ligjit ka bërë hapa pas në Shqipëri dhe Ballkan

Komisioni i Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme (AFET) dhe Komisioni për Liri, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) e kritikoi dje Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit kandidate për në BE për mosbërjen e hapave përpara në çështjet e sundimit të ligjit.

Eurodeputetët analizuan progresin e kryer dhe sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen vendet kandidate të BE-së për përmbushjen e kritereve kryesore. Të pranishëm ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Christian Danielson dhe  Gianni Buquiçhio, Presidenti i Komisionit të Venecias.

Përpara se të anëtarësohen në BE, secili vend kandidat duhet të përmbushë kriteret e Traktatit të Kopenhagenit, që përmban rregullat kryesore që përcaktojnë nëse një vend i plotëson apo jo kriteret për t’u bërë pjesë e bllokut.

Vendet kandidate për në BE janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia. Vendet e e mundshme kandidate janë Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.

Danielsson u shpreh se sundimi i ligjit është thelbi dhe vlera kryesore e BE-së, dhe se vendet duhet të respektojnë dhe të promovojnë vlerat e përbashkëta. Ai vërejti se rajoni ka bërë disa përmirësime të vogla, por vendet kanë bërë progres të kufizuar dhe disa prej tyre kanë bërë hapa pas.

“Shumë nga vendet që duan t’i bashkohen BE-së janë shumë larg përmbushjes së kritereve dhe disa kanë bërë hapa mbrapa”, tha ai, duke shtuar se vendet kandidate si Shqipëria duhet të tregojnë vendosmërinë e tyre për të bërë hapa përpara në procesin e anëtarësimit në BE.

Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquiçhio deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarur, në mënyrë që të mbrojë siç duhet sundimin e ligjit, duke theksuar se politikanët përpiqen t’i sulmojnë këto gjykata kur ata nuk ua pëlqejnë vendimet.

Aktualisht Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Kjo ka sjellë një situatë ku ligjet antikushtetuese të hartuara nga qeveria po mirarohet pa asnjë ndryshim, duke dëmtuar vendin dhe sundimin e ligjit.

Buquiçhio shtoi se sundimi i ligjit është “elementi kyç” për të marrë vendimin nëse një vend do të pranohet ose jo në BE. Ai shtoi se vendet kandidate duhet të reformojnë drejtësinë, jo thjesht për t’iu përmbajtur kritereve për anëtarësim, por për përfitimet që u vijnë qytetarëve nga kjo.

Marko Kmezić nga Qendra për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit deklaroi se “duhet të rritet presioni ndaj udhëheqësve politikë në Balkan. Shoqëria civile duhet të jetë partneri kryesor i BE-së për t’i shtyrë udhëheqësit politikë drejt shtetit ligjor dhe kriteret e vlerësimit duhet të përqendrohen në mungesën e demokracisë”.

Deri më tani, shoqëria civile në Shqipëri është injoruar nga BE, në favor të “propagandës” që qeveria u ka paraqitur.

Naim Rashiti, Drejtor Ekzekutiv i Grupit për Kërkim në Politika në Ballkan, me seli në Prishtinë, shtoi se qeveria shqiptare po përdor agjendën e reformave në mënyrë negative kundrejt opozitës, duke e shtuar tensionin që vërehet në rajon.

Kjo mund të konsiderohet si hedhje poshtë e deklaratave të rreme të Taulant Ballës se opozita po proteston sepse është kundër refromës në drejtësi, dhe gjoja nuk proteston kundër korrupsionit të qeverisë. Në fakt, opozita në Shqipëri po proteston kundër lidhjeve të provuara të politikës me krimin, kundër korrupsionit të qeverisë, lidhjeve të saj me krimin e organizuar, kundër manipulimit të zgjedhjeve, kapjes së shtetit, dështimit të institucioneve të shtetit, si dhe për çështje të rëndësishme që lidhen me sundimin e ligjit.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut ngriti shqetësime për gjendjen e sundimit të ligjit dhe për korrupsionin në drejtësinë shqiptare. Pandëshkueshmëria, praktikat korruptive në policinë e shtetit, mungesa e lirisë së medias dhe akuzat për vjedhjen e votave ishin gjetjet kryesore të raportit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>