Partitë politikë në Kosovë kanë shkelur sërish masat kundër COVID-19 edhe pse janë gjobitur disa herë.
Në 14 shkurt do të mbahen zgjedhjet në Kosovë dhe partitë kanë nisur tashmë fushatën, por vihet re se masat kufizuese kundër koronavirusit shkelen çdo ditë në aktivitetet elektorale
Parti si LDK, PDK , LVV e AAK kanë mbledhur gati qindra njerëz në hapësira të mbyllura e të hapura në kundërshti me masat, madje disa prej tyre janë shfaqur dhe pa maska.
Në 25 janar, Inspektorati i Prishtinës gjobiti me 2,000 € secilës, tre partitë kryesore Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizje Vetëvendosje (LVV).
Arsyeja e gjobitjes ishte organizimi i takimeve me mbi 10 qytetarë, në ambiente të mbyllura, pa mbajtur maska dhe pa respektuar rregullat e distancimit social.
Por kjo nuk i ka ndalur partitë të organizojnë tubime sërish.
Të mërkurën PDK zhvilloi një mbledhje me mbështetës të saj në Gjakovë.
Në fotot e postuara nga kandidati për kryeministër i PDK Enver Hoxhaj, shihet se janë shkelur sërish masat kundër COVID-19. PDK është gjobitur disa herë për shkelje të masave.
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një tubim në Ferizaj dhe Kaçanik, por në fotot që ka postuar Vjosa Osmani shihen me qindra njerëz të grumbulluar.
“Për shkak te kushteve të pandemisë neve po na duhet që të shkojmë në shumë tubime më të vogla krejt që 14 shkurtin ta kurorëzojmë me fitore. Ju lutemi që të vazhdoni të takoni qytetarë në mënyrë që dalja më 14 shkurt të jetë masive. Vetëm dalja masive na e siguron fitoren”, ka thënë kreu i LVV Albin Kurti.
AAK po ashtu ka mbledhur më shumë se 10 njerëz në ambiente të mbyllura.