Pasi shtyu dy herë seancën ndaj gjyqtares Enkeleda Hoxha, e arrestuar të enjten nga SPAK, Këshilli i Lartë Gjyqsor thotë se ka respektuar pavarësinë e gjykatave dhe granton qytetarët se gjykata do të vijojë punën.
Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la sot në arrest me burg gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha pasi ajo akuzohet për korrupsion.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kishte kërkuar KLGJ-së shkarkimin e saj në dhjetor të 2020 pasi gjyqtarja kishte ulur dënimin e disa personave me rekorde të theksuara kriminale, duke sjellë edhe lirimin e tyre.
KLGJ shtyu dy herë seancën ndaj Hoxhës pasi ajo kishte kërkuar më shumë kohë që të përgatiste mbrojtjen e saj.
Në reagimin në lidhje me arrestimin e gjyqtares, KLGJ thotë se ka marrë masat për vijimin e veprimtarisë së gjykatës dhe thekson “se nuk mund të japë udhëzime nё lidhje me proceset gjyqësore që zhvillohen në gjykatë”.
Në vazhdim, KLGJ shton se do të marrë masat për vijimin e punës së gjykatave dhe “forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor”.
Exit News ka shkruar më parë se si gjyqtarja Hoxha ka liruar Endrit Doklen, Hekuran Billon, Genc Tafilin dhe Ilir Pajën, përmes një skeme të njëjtë.