Pas Rroshit e Tahirit, Rama merr në mbrojtje Vangjush Dakon

Pas Rroshit e Tahirit, Rama merr në mbrojtje Vangjush Dakon

Pavarësisht skandaleve të ndodhura gjatë pushtetit të Kryeministrit Rama, ky i fundit gjithnjë ka marrë në mbrojtje të besuarit e tij, edhe pse janë zbuluar fakte që tregonin të shkuarën e tyre kriminale, ose lidhjen me krimin. Rasti i fundit është ai i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.

Në 24 tetor 2018, opozita publikoi një përgjim të dosjes hetimore të grupit kriminal të Durrësit Avdylaj, ku dëgjoj një bisedë mes kryebashkiakut Dako dhe kreut të bandës, Astrit Avdylaj, i njohur me presudonimin “Niçe”, për blerjen e votave në Durrës gjatë zgjedhjeve të përgjithshme 2017.

Një javë pas publikimit tpërgjimit, kryeministri Rama i ftuar në emisioni Top Story të Sokol Ballës, në vend që t’i sqaronte qytetarët për këtë përgjim dhe të distancohej nga kjo ndodhi, ai e mbrojti Dakon:

“Përgjimet në rastin Dako nuk flasin qartë fare. Pasi dhe përgjimet për Saimir Tahirin flisnin qartë për ju, flisnin qartë për opozitën, por Prokuroria e Italisë ua tha qartë përgjigjen. Ne nuk manipulohemi.”

Në shkurt 2019, Zëri i Amerikës publikoi të plotë përgjimet e telefonatave mes Dakos dhe Astrit Avdylajt për blerjen e votave në Durrës, por kryeminsitri sërish e mbrojti Dakon dhe zgjodhi të sulmoi mediat që e hetuan. Sërish nga studio e emisionit Top Story ai tha:

“Nuk janë fakte, janë muhabete telefonash. Me muhabete mund të ngatërrohej gjithë Shqipëria. Nuk mund të ngresh akuza për dikë bazuar në raporte telefonatash. Nëse bëhet fjalë për këto muhabete , Dako mund të kandidojë edhe 500 herë të tjera. Përgjimet nuk mund të merren dot për bazë për të sulmuar njerëz. Nëse do të ishte për përgjimet, Saimir Tahiri do kishte shkuar në burg që 48 orë pas daljes së disa bisedave mes kriminelëve, por ishte sërish prokuroria italiane, një nga më të ashprat, që tha se ky nuk ka lidhje. ”

Sot, në një takim me qytetarët e Librazhdit, Kryeminsitri lavdëroi dhe mbrojti sërish kryebashkiakun Dako:

“Vangjush Dako që i janë qepur për ta kthyer në shënjestër duke e treguar si njeriun e lidhur me krimin. E mundi Saliun, shtetin me gjithë hordhitë e tyre në 2007, në 2011, pastaj në 2013 e në 2017. I kemi mundur me herë të tëra Saliun me hordhitë e tij.”

Të njëjtën taktikë, pra mbrojtjen e të përzgjedhurve të tij edhe përballë fakteve për përfshirjen e tyre në krime, Rama ka përdorur dhe për Elvis Rroshin, vëllain e ish-ministrit Xhafaj dhe ish-ministrin Tahiri.

Në qershor 2016, Kryeministri Rama, në një postim pas bërjes publike të dënimit të Elvis Rroshit në atë kohë Kryetari i Bashkisë Kavajë, në vend që t’i kërkonte falje qytetarëve, përbalti opozitën dhe shprehu vlerësim për figurën e Elvis Rroshit:

“Kam besuar dhe me siguri do të besoj gjithnjë se të trajtosh një njeri si kriminel për vepra që nuk i ka bërë, është kriminale. Ishte kriminale dje dhe mbetet kriminale sot e gjithmonë, çdo shpifje, akuzë, fabrikim që synon të kriminalizojë një person për shkak të detyrës. Edhe Elvis Roshin!”

Në gusht 2016, Kryeministri Edi Rama, në përgjigje të akuzave të opozitës për përfshirjen në trafik ndërkombëtar droge të vëllait të deputetit Fatmir Xhafaj, në atë kohë drejtues i Komisionit për Reformën në drejtësi, e quante Agron Xhafajn “një njeri që jeton me punën e tij të ndershme”:

 “Saliu e ka ndërmarrë fushatën e tij të ndyrë të radhës këtë herë, për të baltosur Fatmir Xhafajn! Dhe në stilin e tij të vjetër e të neveritshëm bolshevik, ka ngritur një akuzë mbi një histori të sajuar këmbë e krye, për të vëllanë e Fatmirit. Një histori me drogë venezuelane, për babain e dy fëmijëve që është në punën e tij të ndershme dhe ka vetëm një faj:Eshtë vëllai i njeriut që drejton Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën më të rëndësishme dhe më të vështirë të 25 vjetëve të fundit!”

Po njësoj dhe në rastin e ish-ministrit Tahiri, edhe pse janë publikuar prova për lidhjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri me organizatën kriminale ndërkombëtare të trafikimit të drogës të vëllezërve Habilaj, Kryeministri Rama vazhdon të njëjtën sjellje: të mbrojë pushtetarin me lidhje kriminale dhe të mos pranojë në asnjë çast përgjegjësinë për promovimin e tij në politikë.

Më 9 maj 2018, Kryeministri Rama u shpreh:

“Ajo që di unë është kjo: Katania ka hetuar një grup kriminal dhe gjatë hetimit ka pasur biseda mes anëtarëve ku përmendej ministri i brendshëm. Deri më sot prokuroria e Katanias nuk ka hedhur asnjë hap lidhur me Tahirin. Pa pasur një provë nuk mund të thuash “hajde ta çojmë në burg dhe shohim.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>