Partia Demokratike e cilësoi si të paligjshme vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve(KAS) për anulimin e gjobës së vendosur ndaj kreut të bashkisë Erion Veliaj.
Përfaqësuesi i PD Ivi Kaso tha të martën në Facebook se “KAS humbi sot mundësinë për të qenë një strukturë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme”.
Sipas Kasos 3 anëtarët e KAS kanë shkelur besimin se “mbi interesin e partisë në pushtet qëndron ligji dhe vetë rregullat e sanksionuara nga KQZ”.
Vendimet antiligjore të 3 anëtarëve të KAS, tha Kaso, bien ndesh me standartin e OSBE për ndarjen e shtetit nga partia.
PD dënoi aktin të cilin e cilësoi si të paligjshëm dhe tha se ky akt “cenon standardët e barazisë sa palëve në zgjedhje.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ hoqi gjobën ndaj Veliaj lidhur me shkeljet e pretenduara të Kodit Zgjedhor të martën.
KAS vlerësoi se Veliaj nuk është personi përgjegjës mbi raportimin e aktivitetit për të cilin ai u akuzua se ka shkelur rregullat zgjedhore.
Veliaj u gjobit me 75 mijë lekë nga KQZ pas denoncimit të LSI për vizitat e tij në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Sipas vendimit, Veliaj nuk kishte raportuar për aktivitetin dhe kishte kryer inaugurime.
KAS tha se kryebashkiaku nuk ka përgjegjësi administrative dhe raportimi është bërë në përputhje me ligjin.
KQZ ka miratuar një vendim mbi aktivitetet e ndaluara, ku përcaktohet se vizitat në shtëpitë e rindëruara janë të ndaluara përveç rasteve kur fondet ose projekte kanë filluar përpara periudhës së ndaluar.