4 deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI nuk u përfshinë në asnjë prej 8 komisioneve të përhershme parlamentare.
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili kërkoi ndërprerjen e seancës në mënyrë që të përfshihen deputetët e LSI-së. Kërkesa u mbështet nga PD dhe nga PS.
Shumica socialiste kërkoi rindarjen e anëtarëve të komisionit të PD-së, duke qënë se kjo e fundit ka propozuar një deputet në dy komisione njëherësh.
Kryetari i grupit të PS-së Balla u shpreh se PD duhet të heqë anëtarët e komisionit të emëruar dy herë dhe t’i japë hapësirë deputetëve të LSI-së.
Sipas Ballës, bazuar në përcaktimin e rregullores së Kuvendit për ndarjen e vendeve në Komisione, PD duhet të ketë më pak anëtarë se sa PS.
Kjo gjë nuk u pranua nga PD, deputetët e së cilës u larguan nga Kuvendi. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Rrushaj u shpreh në një deklaratë se PD nuk do të heqë anëtarë e saj. LSI, sipas Rrushajt të vendosë anëtarët e sja në komisione pa cënuar përfaqësimin e PD-së:
“Nuk mundet që në asnjë mënyrë të zvogëlojnë hapësirën e përfaqësimit të opozitës në Kuvend. Pranuam kërkesën e LSI që ata të mund të marrin kohë në këtë seancë që dhe ata të zënë vendin e tyre”.
Çfarë thotë rregullorja e Kuvendit:
Në komisionet e përhershme marrin pjesë të gjithë deputetët dhe përbërja e tyre, për aq sa është e mundur, pasqyron grupet parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend.
Si rregull, deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm.
Në respektim të raporteve shumicë parlamentare – opozitë, deputetë të caktuar mund të jenë anëtarë të jo më shumë se dy komisioneve të përhershme.