Partia Demokratike i ka kërkuar qeverisë, të mërkurën, që të bëjë transparencë për procesin e marrjes së vaksinave kundër Covid-19.
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu, në Facebook, i ka drejtuar disa pyetje kryeministrit Rama, veçanërisht për një sasi vaksinash për Shqipërinë që mendohet se po mbahen në Itali.
Shehu ka pyetur nëse ka filluar mbështetja e BE-së nëpërmjet Italisë për procesin e vaksinimit Covid në Shqipëri.
Në postimin e tij në Facebook, ai u shpreh:
“A janë të dislokuara prej ditëve të fundit të vitit të kaluar në këtë plan në frigoriferët e Institutit Spallanzani të Romës rreth 15 mije doza vaksine Pfizer të destinuara për Shqipërine, në pritje që të tërhiqen e të përdoren në vendin tonë?”
Shehu ngriti dyshimet nëse janë këto doza ato për të cilat Rama flet:
“A mos janë këto dozat e vaksinave, që është deklaruar nga Kryeministri se do të përdoren në fund të janarit në Tiranë?”
Sipas Shehut, të gjithë duhet të jemi koshient se vaksinimi Covid i shqiptarëve nuk mund të realizohet nëpërmjet ndihmave apo projekteve të tipit COVAX. Sipas tij ato janë vetëm një plotësim dhe se barra kryesore e sigurimit të vaksinës i takon qeverisë.