Numri total i të vdekurve nga koronavirus ka shkuar në 3 286 persona, ndërsa i të prekurve ka shkuar në 95 425.
Shifrat po vazhdojnë të rriten çdi ditë. Ndërkohë, Italia fqinje është pas Koresë së Jugut vendi më i goditur jashtë Kinës me mbi 3 mijë persona të prekur dhe 107 të vdekur.
Më poshtë Exit News sjell të dhënat më të fundit rreth sëmundjes dhe pasojave të saj.
Përhapja dhe viktimat
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins, deri në orën 9:00, 5 mars 2020, janë identifikuar 95 425 persona të infektuar nga koronavirusi, prej të cilëve 53 399 janë shëruar dhe 3 286 kanë vdekur.
Nga rreth 95 mijë të prekurit, mbi 80 mijë janë në Kinë, ku ka patur 3 013 të vdekur.
Në Shqipëri autoritetet thonë se nuk ka ende një rast me të infektuar, virusi ka prekur 81 vende të tjera veç Kinës, në të cilat janë identifikuar rreth 15 mijë të prekur dhe ka patur 273 të vdekur.
Italia me 107 të vdekur është vendi me numrin më të lartë të të vdekurve pas Kinës, pasuar nga Irani me 92 dhe Korea e Jugut me 35.
Numri i të vdekurve është shtuar dhe në SHBA, ku ka arritur në 11.
Rastet e të prekurve vazhdojnë të shtohen dhe në Europ, ku janë prekur 31 vende (Francë, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Britani të Madhe, Norvegji, Suedi, Holandë, Austri, Islandë, Belgjikë, San Marino, Danimarkë, Kroacië, Greqië, Finlandë, Republika Çeke, Rumania, Portugalia, Gjeorgjia, Rusia, Irlanda, Estoni.
Ditët e fudnit raste të para janë shënuar në Maqedoninë e Veriut, Luksemburg, Andorra, Armeni, Letoni, Bjellorusi dhe Lihtenshtejn.
Ndërsa në Greqinë fqinje, numri i të prekurve ka shkuar në 10.
Sëmundja dhe simptomat
Koronaviruset janë viruse, të cilat shkaktojnë një mori problemesh shëndetësore, nga të lehtat, si e ftohura e zakonshme, tek ato serioze të njohura si çrregullime akute të frymëmarrjes.
Varianti i koronavirusit, që ka goditur botën aktualisht është variant i ri i kësaj familjeje, që shkakton “sëmundjen koronavirus” (COVID-19), e cila në rastet e përparuara shkakton pneumoni, të njohur si “pneumoni nga infeksioni me koronavirus të ri” (NCIP).
Rastet e rënda të pneumonisë shkaktuar nga koronavirusi mund të çojnë në sëmundje akute të frymëmarrjes dhe në disa raste në vdekjen e të prekurve.
Simptomat kryesore të sëmundjes së koronavirusit janë: temperaturë, kollë e thatë pa sekrecione, lodhje dhe, në raste serioze, çrregullime të frymëmarrjes dhe aritmi të zemrës, të cilat mund ta kalojnë pacientin në gjendje shoku. Një pjesë shumë e vogël e personave të prekur nga virusi zhvillojnë çrregullime akute me rreziqe ndaj jetës.
Koha e kalimit nga simptomat e para deri në çrregullimin akut është e shkurtër dhe zgjat zakonisht brenda 5-7 ditësh.
Rastet serioze zhvillohen kryesisht tek të moshuarit, sidomos ata që vuajnë nga sëmundje të tjera, veçanërisht ata që kanë probleme paraprake mushkërish dhe zemre.
Fëmijët e vegjël janë më të mbrojtur se moshat e tjera.
Nga të dhënat e deritanishme botërore, rreth 20 për qind e të prekurve të identifikuar kërkojnë terapi intensive, ndërsa vdekshmëria mesatare është rreth 3 për qind.
Kjo përqindje ndikohet shumë nga pesha e madhe e te rpekurve dhe te vdekurve në rajonin e Ëuhanit që është epiqendra e sëmundjes. Jashtë krahinës, vdekshmëria është rreth 1 për qind.
Mbi gjysma e viktimave deri në mes të muajit shkurt ishin mbi 65 vjeç dhe thuajse të gjithë ata me probleme të tjera shëndetësore.
Për tu informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni:
– Koronavirusi – shtrirja dhe vdekjet e deritanishme (kliko këtu)
– Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin (kliko këtu)
– 9 pyetjet më të shpeshta rreth koronavirusit (kliko këtu)
– Masa më e efektshme për parandalimin e prekjes nga koronavirusi (kliko këtu)