Nuk ka dhënë asnjë rezultat takimi mes dy udhëheqësve më të lartë politikë të vendit, Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Takimi që ka zgjatur tre orë është zhvilluar në Pallatin e Kongreseve dhe përveç përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së në të ka marrë pejsë edhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, zoti Petrit Vasili.
Takimi duket se është përqëndruar në arritjen e një dakordësie për reformën në drejtësi, por palët kanë dalë prej tij më të ndara se ndonjëherë.
Pas takimit, Kryeministri Rama deklaroi se, tashmë, qeveria do ta dërgojë direkt në Kuvend për shqyrtim propozimin e ligjit për reformën në drejtësi. Kjo do të thotë se, me shumë gjasa, reforma nuk do të miratohet pasi miratimi i saj kërkon edhe votat e opozitës, pasi një pjesë e propozimeve janë ndryshime kushtetuese të cilat kërkojnë dy të tretat e Kuvendit, pra 94 vota.
Pas takimit, Zoti Rama ka deklaruar se opozita ka refuzuar ofertën e qeverisë për miratimin me votat e dy të tretave të Kuvendit të emërimit të gjyqtarëve. Kurse Zoti Basha i është referuar refuzimit të qeverisë për pranimin e sistemit të “vendeve të rezervuara” në emërimin e funksionarëve të lartë jogjyqtarë të sistemit të drejtësisë—që nëkupton përfaqësimin proporcional të shumicës dhe pakicës në emërimet në strukturat që mbikqyrin dhe administrojnë sistemin e drejtësisë.
Në pohimet para mediave Zoti Rama dhe Zoti Basha kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin duke ju rikthyer në mënyrë qesharake retorikës së zakonshme të përsëritur papushim kohët e fundit.
Kryeministri Rama ka dalë i pari para gazetarëve dhe ka lexuar me letër një fjalim, duket, të parapërgatitur gjatë të cilit ai është shprehur disa herë se ai nuk ka patur shpresë tek ky takim.
“Unë nuk u habita, sepse nuk hyj tek ata që besoj se PD e do Reformën në Drejtësi. Por sonte PD nuk mund tu tregojë dot as shqiptarëve, as Brukselit, Uashingtonit, asnjë arsye të vetme që nuk mund të justifikojë mos votimin e Reformës në Drejtësi. Ato që do të thotë do të mund ti besojë vetëm vetë.”
Zoti Basha nga ana e tij u rrek të tregonte se takimi ka dështuar pasi Kryeministri Rama nuk ka patur asnjë vullnet që të arrihej konsensusi gjë që sipas tij dëshmohet nga fakti që që Zoti Rama kishte mbajtur një fjalim të parapërgatitur.