Kryeministri në largim Avdullah Hoti ka vizituar, të hënën, Qendrën e Situatave për tu informuar për zonat e përmbytura nga reshjet e shiut.
Gjatë takimit me drejtorin e Qendrës së Situatës, Shaqir Shaqiri dhe Sekretarin e Sekretariatit të Sigurisë, Shpend Terdevaj, Hoti diskutoi për masat që duhet të merren për menaxhimin e situatës.
“Institucionet e Kosovës janë duke përcjell nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës,” u shpreh Hoti.
Po ashtu, Hoti theksoi se është në komunikim dhe me komandatin e KFOR-it, Gjeneral-majorin, Franco Federici për çdo situatë që mund të kërkojë ndërhyrjen e tyre.
Që nga e premtja, 8 janar, në Kosovë, dhjetra komuna janë përmbytur.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, IHK njoftoi se si rezultat i reshjeve intensive, niveli i ujit në lumenj është rritur.
Sipas të dhënave të IHK-së, kanë arritur kuotat maksimale në lumenjtë Drini i Bardhe, Ereniku, Peja Bistrica, Decani Bistrica, Mirusha, Toplluha, Ibri, Sitnica dhe Drenica.
Media lokale raportoi se një urë në fshatin Hajnoc në Kamenicë është shembur, duke bllokuar rrugën që lidh fshatrat Strezoc dhe Krileve.
Me përjashtim të komunave të tjera, përmbytje u raportuan në disa lagje të kryeqytetit, Prishtinës.
Nuk dihet ende për sasinë e dëmit material të shkaktuar në të gjithë vendin.