Teksa çdo ditë dalin prova që vërtetojnë akuzat e Dritan Zaganit për Saimir Tahirin, rreth tre vite më vonë, historia duket se po përsëritet — kësaj radhe për Ministrin e ri të Brendshëm Fatmir Xhafajn — vëllai i të cilit ka qenë pjesë e një bande ndërkombëtare trafiku droge dhe është dënuar në Itali.
Kryeministri Rama sërish ka zgjedhur të mbrojë ministrin e tij dhe të ushtrojë trysni mbi dëshmitarin që akuzon vëllain e ministrit si drejtues i trafikut të drogës.
Në një intervistë të bërë publike nga Partia Demokratike, Albert Veliu — i identifikuar si Dëshmitari X në audio-përgjim e bërë publik nga PD— u shpreh se mënjeherë pas videos djali i tij u kërcënua.
Njësoj si me Tahirin, Kryeministri Rama mori nën mbrojtje ministrin Xhafaj:
“Sot ministri i brendshëm nuk duhet të përgjigjet as moralisht dhe as penalisht.”
Kryeministri shkoi edhe më tej duke bërë deklarata të forta, të nxituara në kohë, duke i marrë de facto rolin prokurorisë, dhe duke mbrojtur publikisht një person ende nën verifikim apo nën hetim:
“Unë kam kërkuar nga agjenci të specializuara ndërkombëtare ekspertizën ligjore [të audio përgjimit]… Kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore nga një prej laboratorëve më të mirë në botë. Ajo provë më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi përpara një prove kompromentuese ndaj ministrit. Jemi përpara një materiali jo autotenik që synon destabilizimin.”
Në shtator 2015, Kryeministri Edi Rama bëri të njëjtë gjë. Ai sulmoi haptazi Dritan Zaganin, ish-drejtuesin e policisë kufitare të Vlorës, i cili kishte denoncuar aktivitetin kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e tyre me Sajmir Tahirit.
Fjalët e Kryeministrit kundër Zaganit ishin të qarta dhe të forta:
“Një kriminel, nga ata të cilët policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajën t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit së fundi.”
Po e fortë dhe e qartë ishte edhe mbrojtja që Kryeministri i bëri Sajmir Tahirit:
“Unë e marr me mend se çdo të thotë për ju […]kur dëgjon gjithfarëlloj akuzash, gjithfarëlloj monstruozitetesh, dhe gjithfarëlloj sulmesh verbale mbi Ministrin e Brendshëm, mbi drejtuesit e Policisë së Shtetit, mbi vetë qeverinë në raportet me krimin dhe me gjithë përmbajtjen e betejës për të cilën ju dilni çdo mëngjes nga shtëpia. Duhet të jetë padyshim shumë e rëndë.
…Duhet të jeni krenarë që me rezultate, me shifra dhe fakte të pakontestueshme keni hedhur në tokë të gjithë sasinë marramendëse të baltës, që për muaj e muaj të tërë ka rënë mbi Policinë e Shtetit, mbi drejtuesit e saj dhe mbi Ministrin e Brendshëm.”
Dritan Zagani u arrestua nga policia e Fierit në mesin e natës në 1 majit 2014. Ai u akuzua për shpërdorim detyre dhe dyshim për bashkëpunim me grupe kriminale. Pas më shumë se një vit arrest shtëpiak, me një proces shumë të ngadaltë gjykimi, Zagani bashkë me familjen u arratis për në Zvicër. Më pas Zagani kërkoi dhe përfitoi nga qeveria zviceriane statusin e refugjatit politik.