Banorët e Zharrësës bllokuan mbrëmë aksin rrugorë Fier- Berat, por policia ndërhyri duke zhbllokuar rrugën dhe nisi procedim penal për dy të rinjtë që i vunë flakën një gome makine në mes të rrugës. Ndërsa, sot në mëngjes, grevistët refuzuan ujin dhe ndihmën mjekësore.
Prej 10 ditësh, banorët e fshatit Zharrës në Mallakastër ndodhen në grevë urie. Ata shprehen se jeta e tyre është e rrezikuar dhe shtëpitë e tyre janë dëmtuar nga lëkundjet e tokës të shkaktuara nga metodat e nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers Petroleum.
Banorët i kanë kërkuar qeverisë të dëmshpërblejë dëmet materiale dhe të ndalojë aktivitetin e kompanisë, që po rrezikon jetët e tyre.
Kjo është greva e dytë brenda dy muajve nga banorët e fshatit. Greva e parë, në dhjetor 2016, erdhi pas tre ditëve me lëkundje të mëdha të tokës nga shpimet e Bankers për të nxjerrë naftë. Greva e tyre nuk u transmetua nga pjesa më e madhe e mediave dhe qeveria nuk mori asnjë masë ndaluese.
Problemet e banorëve me kompaninë naftënxjerrëse kanë vite që vazhdojnë pa asnjë zgjidhje nga qeveritë.