Pezullohet kampionati italian, lejohen vetëm ndeshjet e kupave të Evropës

Nga Exit News
Pezullohet kampionati italian, lejohen vetëm ndeshjet e kupave të Evropës

Qeveria italiane pezulloi të hënën të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë këtu kampionatin e futbollit Serie-A, por i la vend mundësisë që klubet të stërviten dhe të luajnë ndeshjet e kompeticioneve evropiane.

Për shkak të vendosjes në karantinë kombëtare prej koronavirusit, Italia pezulloi të hënën të gjitha aktivitetet që krijojnë grumbullime njerëzish.

Pas një takimi që qeveria e Giuseppe Contes zhvilloi me Komitetin Olimpik Italian (CONI), ku bëjnë pjesë të gjitha federatat, u ra dakord që stadiumet dhe impiantet sportive të përdoren për stërvitje dhe ndeshje ndërkombëtare, por me dyer të mbyllura.

Kështu vendimi për të pezulluar aktivitetet, nuk do të ndikojë në përgatitjet e atletëve për lojërat olimpike, apo dhe futbollistëve për ndeshjet ndërkombëtare.

Sportmediaset raporton se Inter-Getafe, e parashikuar për t’u luajtur më 12 mars për 1/16 e Europa League dhe Juventus-Lyon, e parashikuar për t’u luajtur më 17 mars për 1/8 e Champions League do të luhen në Itali, por pa tifozë.

Për Interin lajmi u konfirmua edhe nga UEFA. Në mediat shqiptare qarkulloi si “lajm i bujshëm” spekulimi se Juventusi po shqyrtonte mundësinë për ta zhvilluar ndeshjen me Lyonin në Stadiumin Kombëtar Air Albania.

Ky spekulim argumentohej me faktin se Federata Malteze e Futbollit kishte refuzuar një mundësi të ngjashme për ta organizuar ndeshjen në Maltë, teksa propozimi fillestar ishte që të luhej në jug të Italisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>