Protestat në Washington kanë nxjerrë në pah një fenomen të pazakontë për forcat e ruajtjes së rendit në SHBA: policët shfaqen pa mjete dhe numër identifikimi apo shenja të tjera dalluese për secilin.
Kjo ka krijuar shqetësim te shumë qytetarë amerikanë, sidomos te ata që po përballen me policinë në protesta.
Ligji amerikan parashikon se një qytetar mund të refuzojë urdhrin e një polici që nuk identifikohet si i tillë.
Shumë ekspertë ligjorë në SHBA shprehen se krijimi i një precedenti të tillë—policë të paidentifikuar përballë protestuesve — krijon një situatë ku çdo individ i paidentifikuar mund të pretendojë se vepron në emër të ligjit. Kjo mund të përdoret nga cilido grupim i interesuar për të shpërndarë apo identifikuar protestuesit.
Anonimiteti i policisë sjell në mendje mënyrën e veprimit të regjimeve autokrate për të shmangur llogaridhënien.
Problemi nuk qëndron aq te abuzimi i mundshëm nga ana e policëve, por në radhë të parë te pamundësia e qytetarit për t’u ankuar nëse policët abuzojnë ndaj tyre.
Roli kryesor i policisë është ruajtja e rendit publik. Policët mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe japin llogari përpara qytetarëve. Por në mungesë të identifikimit bëhet e pamundur kërkesa e llogarisë ndaj policëve që mund të kenë shkelur ligjin.
Kjo që po ndodh në SHBA nuk është e panjohur për Shqipërinë. Rasti më i freskët është ai i protestës pas shembjes së Teatrit Kombëtar.
Të gjithë policët në protestën e 17 majit nuk kishin numër identifikimi në uniformat e tyre.
Ata dhunuan qytetarë, gazetarë, arrestuan dhjetra prej tyre dhe hodhën gaz lotsjellës.
Asnjëri prej protestuesve dhe gazetarëve të dhunuar nuk ka mundësinë të identifikojë policët që ushtruan dhunë në mënyrë të paligjshme.
Një tjetër rast ishte vrasja e biznesmenit Bujar Hasani Lika, ku 4 persona të veshur si policë me veshje të FNSH-së dhe të maskuar zbritën nga makina dhe e ekzekutuan atë në një lokal.
Mungesa e identifikimit të policëve, përveçse mund të çojë në abuzim, bie ndesh me ligjin dhe rregulloren e policisë së shtetit.