Policia e Shtetit konfirmoi të shtunën në mbrëmje, përmes një deklaratë për shtyp, kapjen në Portin e Durrësit të 143 kg kokainë.
Ajo gjithashtu njoftoi arrestimin e dy administratorëve të kompanisë Massabi Fruit.
“Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit K. X., 30 vjeç dhe E. P., 42 vjeç, të dy banues në Tiranë,” shkruan Policia.
Kapja e kokainës u bë e mundur pas informacioneve të marra nga policia në rrugë operative, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe portuale.
Kontenieri me banane ishte nisur nga porti i Guayaquil i Ekuadorit dhe kishte bërë tranzit në portin Gioia Tauro në Itali.
Sipas njoftimit, çështja ka kaluar në ngarkim të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe policia po punon për kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.