Autoritetet italiane goditën sot një rrjet ndërkombëtar droge, i cili mendohet se drejtohej nga shqiptarë.
Agjencia e lajmeve ANSA dhe Sky raportuan se policia sekuestroi rreth 200 kilogramë kokainë dhe armë.
Droga thuhet se vinte nga Holanda dhe shpërndahej në kryeqytetin italian, Romën.
ANSA dhe Sky nuk saktësuan kombësinë e të arrestuarve dhe e përcollën lajmin shkurt, por Roma-Today raportoi gjerësisht se operacioni i policisë ishte i koduar si “Aquila Nera” (Shqiponja e zezë) dhe se droga drejtohej nga një bandë shqiptarësh.
Po sipas Roma-Today nga ky operacion policor janë arrestuar 17 persona.
Shqiptarët mbeten furnitorët kryesorë të drogës në Itali. Raportet e fundit të antidrogës italiane tregojnë se pas zotërimit të tregut të marijuanës, vitet e fundit shqiptarët janë përfshirë edhe në trafikun e kokainës me prejardhje Spanjën dhe Holandën.
Shqiptarët thuhet se kanë edhe bashkëpunime të forta me grupe të rrezikshme kriminale italiane si Camorra në Napoli.
Nga të dhënat e raporteve në Itali, gjatë vitit 2018 u arrestuan 1917 shqiptarë të akuzuar për narkotrafik, 66 për qind e tyre u arrestuan për trafik kokaine.
Autoritetet italiane kanë ngritur gjithashtu shqetësimin në raportet e tyre se mes trafikantëve po shihet një rritje e numrit të femrave dhe fëmijëve minorenë.