Tjetër skandal politik: policia përgjon në mënyrë të paligjshme kryetarin e opozitës dhe familjen e tij

Tjetër skandal politik: policia përgjon në mënyrë të paligjshme kryetarin e opozitës dhe familjen e tij

Gazeta Panorama ka bërë publike sot  se “kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe familjarë të afërt të tij po mbahen në survejim nga segmente të Policisë Operacionale”.

Në një artikull, të sotëm, e përditshmja më e madhe në vend, shkruan:

“Burime të besueshme konfirmojnë për Panorama se çdo lëvizje e kreut të PD-së, Lulzim Basha, dhe familjarëve të afërt të tij, prej disa kohësh monitorohen 24 orë në 24 nga segmente të caktuara të Policisë Operacionale.

Survejimi i plotë i familjes Basha ka ardhur menjëherë pas denoncimit në media nga opozita i audiopërgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.”

Duke ju referuar burimeve të saj brenda Policisë së Shtetit, Panorama bën të ditur se operacioni i përgjimit të kreut të opozitës është një operacion klandestin, por askush nuk pranon të konfirmojë urdhëruesin e operacionit. Duke patur parasysh rëndësinë politike të objektit të përgjimit, mund të hamendësohet se ky operacion është urdhëruar nga krerët e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendëshme.

Është fakt i njohur publikisht se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardian Veliu, është njeri i besuar i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Ky i fundit sajoi një proces farsë të ngritjes të menjëhershëm në gradë të Veliut me qëllim që ai të plotësonte kërkesat ligjore për tu emëruar në krye të Policisë së Shtetit.

Nëse është i vërtetë, ku operacion i policisë është jo vetëm i paligjshëm, por përbën një skandal të jashtëzakonshëm me pasoja serioze që minon shtetin ligjor dhe demokracinë në vend. Përdorimi i policisë së shtetit për qëllime politike, përfshi përgjimin e kundërshtarëve politikë të qeverisë, është një akt antikushtetues dhe kriminal.

Ky skandal dëmton edhe më rëndë figurën dhe besueshmërinë e Policisë së Shtetit, e cila prej disa vitesh është përfshirë në skandale të njëpasnjëshme që lidhen me mbrojtjen e figurave të krimit dhe bashkëpunimin e segmenteve të saj në trafikun e drogës.

Por ky skandal vjen në një moment që ngjall dyshime serioze ndaj vetë Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Që prej 14 majit, Partia Demokratike kërkon largimin e Ministrit Fatmir Xhafaj duke e akuzuar se ai ka përdorur pushtetin e tij për të mbrojtur vëllain e tij Agron Xhafaj, një trafikant i dënuar me mbi 7 vjet burg për trafik ndërkombëtar kokaine në Itali në fillim të viteve 2000.

Agron Xhafaj u largua nga Italia duke mos bërë asnjë ditë burg dhe u vendos në Shqipëri ku ka jetuar i qetë. PD e akuzon Agron Xhafajn se ka vazhduar trafikun e drogës në Shqipëri, përfshi kohët e fundit kur vëllai i tij shërben si Ministër i Brendshëm.

Në fillim të majit, opozita bëri publike vendimin e formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Lartë e Italisë, në të cilin Agron Xhafaj gjykohet si anëtar i një organizate kriminale të strukturuar që vepronte midis Shqipërisë, Italisë, Polonisë e SHBA-së.

Më tej PD publikoi një audio-përgjim të realizuar nga një hetim i gazetarit Jetmir Olldashi ku një person, që pretendohet se është Agron Xhafaj, dëgjohet se rregullon një ngarkesë droge për një nga ish-bashkëpunëtorët e tij të mëparshëm.

Pas bërjes publike të video-përgjimit dhe dosjes së dënimit të pakryer në Itali, vëllai i Ministrit të Brendshëm u largua menjëherë nga Shqipëria, pavarësisht se prokuroria kishte nisur hetim penal ndaj tij.

Largimi i Agron Xhafajt u bë i njohur përmes një letre publike ku ai pretendon se po largohet për të kryer dënimin në Itali. Aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar se ku ndodhet vëllai i Ministrit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>