Presidenti Ilir Meta reagoi për plagosjen e sekretarit të zyrës së PD në Kavajë, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi.
Presidenca njoftoi se Meta do të niset për në Kavaje, por momentalisht ndodhet në Elbasan në një iftar.
“Për shkak se aktualisht, Kreu i Shtetit ndodhet në Elbasan, në një iftar të organizuar nën kujdesin e Tij, me klerikët lokalë të pesë komuniteteve fetare, ku janë të ftuar edhe personalitete të nderuara të qytetarisë elbasanase, si dhe për shkak të një interviste të planifikuar më herët në TV “Skampa”, bëj me dije se menjëherë pas saj, Presidenti Meta do të niset urgjentisht drejt Kavajës”, njoftoi Blushi.
Ai i bëri thirrje qytetarëve të mos provokohen.
“Kreu i Shtetit i fton qytetarët e Kavajës të mos provokohen dhe të ruajnë qetësinë në këto ditë të fundit para Referendumit të Ndryshimit të Madh të 25 Prillit”, tha Blushi.
Të hënën rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë një person i identifikuar nga policia si N.J hyri në zyrat e PD dhe plagosi Bledar Okshtunin.
Grida Duma, drejtuese politike e PD për Kavajen tregoi identitetin e autorit dhe tha se ngjarja ka prapavijë politike.