Presidenti austriak dekoron pedagogen Jonila Godole

Nga Redaksia
Presidenti austriak dekoron pedagogen Jonila Godole

Austria vlerësoi mbrëmjen e së hënës me “Dekoratën e Lartë të Nderit” pedagogen, shkrimtaren dhe përkthyesen Jonila Godole.  Vlerësimi i Zonjës Godole u bë nga Presidenti Alexander Van der Bellen për kontributin e dhënë në përhapjen e kulturës dhe shpirtit austriak në Shqipëri. Ceremonia e dhënies së vlerësimit u organizua nga ambasadori austriak në Tiranë, Christian Steiner.

“Dekorata e Lartë e Nderit” iu dha Zonjës Godole për aktivitetin e saj si shkrimtare dhe përkthyese duke i sjellë publikut shqiptar shumë vepra të autorëve austriakë si Robert Musil, Rainer Maria Rilke, Thomas Bernhard, Arthur Schnitzler, Marlene Haushofer, Werner Schwab e të tjerë.

Në vitin 2010, si shkrimtare e dramës “Der Sandmann” (Njeriu i Rërës), Zonja Godole është nderuar me çmimin e parë nga Ministria e Jashtme e Austrisë dhe PEN Club. Kjo vepër është vendosur në skenat prestigjioze të Burgtheater dhe Volkstheater në Vjenë.

“Ky vlerësim flet shumë për rëndësinë që Austria i kushton kulturës dhe shkëmbimit ndërkulturor sepse vetëm përmes tyre mund të ndërtohen ura bashkëpunimi afatgjata, mes popujve […] gjithë shkrimtarët dhe personalitetet austriake që kemi sjellë në Shqipëri prej vitit 2013 gjatë edicioneve të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë dhe Tirana Lexon kanë ndihmuar bashkë me veprat e tyre që ne të dalim nga izolimi kulturor, ku për fat të keq ende vazhdojmë të mbetemi edhe 30 vite pas rënies së regjimit komunist”.

Zonja Godole është pedagoge e gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Si drejtuese e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë ajo ka një veprimtari të shquar sidomos në fushën e kujtesës me aktivitete si Tirana Lexon, apo Ditët e Kujtesës, të cilat mbështeten nga Fondacioni gjerman Konrad Adenauer.

Ajo ka qenë ndër gazetaret e para të Shqipërisë postkomuniste. Punoi në gazeta si “Populli Po” dhe “Koha Jonë”. Më pas në periudhën 1998-2005 studioi dhe jetoi në Gjermani. Pas kthimit është angazhuar me të rinjtë në fushën e kujtesës dhe aktualisht është edhe nënkryetare e bordit drejtues të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>