Prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela është zyrtarisht kandidat për Prokuror të Përgjithshëm, pasi Komisioneri Publik nuk ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifiklitit që konfirmonte në detyrë prokurorin.
KPK konfirmoi në detyrë Zotin Çela më 23 korrik 2019.
Deri më 23 shtator, Komisioneri Publik kishte të drejtë të kundërshtonte vendimin në Kolegjin e Apelimit, por KP nuk e ka ankimuar atë.
Olsian Çela njihet si prokurori i çështjeve të trafikut të drogës ‘Xibraka’ dhe ‘Kompas’, si dhe i çështjes së ‘vrasjes së Mirit të Xhikes, pronarit të Kartodromit’.
Tani pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të miratojë listën përfundimtare me katër kandidatë për kryeprokuror: Arta Marku, Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj. Ky i fundit është i vetmi kandidat që nuk është përballur ende me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Mbledhja e radhës e KLP-së do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 10.
Si do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm
Kandidatët që plotësojnë kushtet e kërkuara me ligj, do të vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazuar në disa kritere:
– vlerësimin profesional në fushën e drejtësisë penale;
– integritetin moral dhe profesional i kandidatit;
– aftësitë organizative dhe drejtuese;
– vlerësimin e elementëve plotësuese si titujt akademike, studime dhe trajnime jashtë vendit, njohja e gjuhëve të huaja.
Më pas, KLP do t’i paraqesë Kuvendit një listë me tre kandidatë të renditur në bazë të vlerësimit.
Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet ai kandidat që merr votat e të paktën 84 deputetëve.
Ligji nuk kufizon numrin e votimeve që mund të ndërmarrë Kuvendi, por nëse ai nuk arrin ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.