Prokuroria e Tiranës ka nisur sot hetimet për abuzimet me çmimet për produktet bazë farmaceutike që shërbejnë për parandalimin e simptomave të gripit, si maska apo dezinfektantë.
Ky reagim i prokurorisë vjen pas denoncimeve të qytetarëve se farmacitë po rrisin çdo orë e më shumë çmimet e këtyre produkteve.
Gazetari Blendi Fevziu raportoi dje në emisionin Opinion se një dezinfektues në sasi të vogël, që deri pak ditë më parë kushtonte 100 lekë, tani po shitet për 600 lekë.
Ndërsa Top Channel raportoi se ditët e fundit, një maskë e thjeshtë me çmim 50-100 lekë, tashmë po shitet me një çmim prej 1000 lekësh.
Higjena personale dhe përdorimi i dezinfektatëve është një masë parandaluese ndaj koronavirusit e rekomanduar dhe nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Për tu informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni këtu 9 pyetjet më të zakonshme rreth këtij virusi ,ndërsa këtu mund të lexoni disa nga këshillat bazike që çdokush duhet t’i ketë parasysh.
Po ashtu, Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.