Italianët e izoluar në të gjithë vendin po gjejnë mënyra origjinale për të mbështetur dhe ngritur moralin njëri-tjetrit. Një nga shfaqjet më mbresëlënëse janë ato të intepretimeve kolektive nëpër ballkone.
Duke u koordinuar përmes rrejteve sociale, italianët dolën të premten në orën 18.00 për të kënduar himnin e tyre kombëtar “Il canto degli Italiani” duke shpalosur flamurin trengjyrësh.
Një ditë më pas, të shtunën në orën 12.00, të dakordësuar paraprakisht, ata u shfaqën në ballkone anembanë Italisë për një duartrokitje masive kushtuar mjekëve, infermierëve dhe personelit mjekësor, që po punon papushim në shërbim të të prekurve nga koronavirusi.
Koncertet e improvizuara në të gjithë vendin vazhduan të shtunën dhe të dielën në të njëjtin orar, me këngë te famshme si “Azzuro” të Celentanos apo “Il cielo é sempre più blu” të Rino Gaetanos, apo këngë ritmike si Makarena e deri tek pjesët klasike të Verdit e Pucinit.
Këto shfaqje popullore mbresëlënëse u pasqyruan nga mediat e të gjithë botës, çfarë nxiti imitime të tyre kudo.
Nuk vonoi që të njëjtat ide të kopjoheshin edhe në vendin tonë.
Propozimin e parë publik për të imituar italianët duke dalë në ballkon në shenjë falenderimi ndaj mjekëve e personelit mjekësor e bëri emisioni “Betimi i Hipokratit” në Top Channel.
Në orën 17:30 të së shtunës, 14 mars, qindra qytetarë iu përgjigjën thirrjes dhe dolën për të duartrokitur.
Por ajo që e bëri imitimin e nxitur nga “lart” të asaj që në Itali lindi natuyrshëm dhe u organizua spontanisht ishte përfshirja e qeverisë, pavarësisht qëllimit të mirë propagandistik të saj.
Në përgjigje të ftesës së Top Channel, ra në sy Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu dhe stafi i saj që doli para ndërtesës së ministrisë për të duartrokitur duke e shpërndarë pastaj videon në rrjetet sociale.
Të nesërmen ishte Ministrja e Kulturës Margariti e cila, nën motivin “bëjmë muzikë nga shtëpia”, u bëri thirrje në rrjetet sociale të gjithë instrumentistëve për të luajtur nga shtëpia me qëllim për “të zgjuar qytetin me tingujt e tyre!” Më pas ministrja vijoi të publikojë në profilin e saj zyrtar videot e qytetarëve teksa luanin instrumente të ndryshme.
Po ditën e djelë, Bashkia Tiranë apo qeveria kishte pajtuar një furgon me altoporlantë që lëshuan mbi qytet Himnin e Flamurit, megjithëse situata e koronavirusit në vend nuk paraqitetet ende aq dramatike sa në Itali, ku mbi 600 persona humbën jetën vetëm në fundjavë.
Një javë më pas, të hënën herët në mëngjes, Kryeministri postoi në faqen e tij në Facebook një video ku këngëtarët e Teatrit të Operës dhe Baletit këndojnë këngën Dua më shumë Shqipërinë secili nga shtëpia e vet, të regjistruar me kamera profesioniste dhe të montuar në studio profesionale.
Pra, në këtë periudhë krize qeveria ka angazhua ekipe me kamera që kanë xhiruar me orë të tëra nëpër shtëpitë e artistëve për të prodhuar një vieo që në fund ishte pa jetë, pa passion, pa emocion.
Mënyra e komanduar apo ndoshta fakti që gjendja në Shqipëri është nën kontroll, të paktën tani për tani, ndoshta bënë që nismat e qeverisë të mos kishin ndikimin e synuar pasi u përcollën pak nga qytetarët.
Arsyeja kryesore, ndoshta mund të jetë që solidariteti njerëzor nuk mund të krijohet në mënyrë artificiale, ai mund të burojë vetëm nga përjetimet e sinqerta dhe reagimet e natyrshme me vullnetin e lirë të vetë njerëzve.