Misioni i OSBE-së në Tiranë ka reaguar një ditë përpara protestës së paralajmëruar të opozitës.
Me anë të një statusi në Twitter, OSBE bën thirrje për një protestë paqësore e pa incidente.
“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore është një prej themeleve të demokracisë. Në Shqipërinë e vitit 2017 nuk ka vend për dhunë.”
Drejtuesit e Partisë Demokrate, po ashtu, ka bërë të ditur se protesta do të jetë e qetë, jo e dhunshme, ashtu si dhe protesta e vazhdueshme e opozitës që prej 18 shkurtit.
Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot:
“E nesërmja do të hyjë në historinë kombëtare si një nga ditët më të mëdha të kombit shqiptar. Është dita e bashkimit të padëgjuar me një qëllim: sigurimin e të ardhmes së shqiptarëve.
Me ne bashkohen nesër intelektualët, akademikët, sportistë, artistë, truri dhe shpirti i kombit, elita e kombit që sot rri me sytë përdhe sepse është zëvendësuar nga kriminelët, oligarkët dhe pushtetarët e korruptuar me në krye Edi Ramën.”
Zoti Basha tha se “çadra e lirisë” mund të mbyllet nesër pas tre muaj protestë, për t’i lënë vendin një rrugëtimi në gjithë vendin për rrëzimin e Republikës së Vjetër dhe lindjen e Republikës së Re, ku fati i qytetarëve do të jetë në dorën e tyre.