Siç u njoftua javën e kaluar, opozita dhe mbështetësit e saj sot do të bllokojnë sot, në shenjë proteste, akset kryesore të qarkullimit rrugor në gjithë vendin, midis orës 11:00 dhe 12:00. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë në mënyrë paqësore:
“Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të patur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve qe fshihen pas fasadës. Burrat dhe gratë me uniformë, të cilët ndajnë të njëjtat halle me shqiptarët, dhe që keqpërdoren në mënyrën më të mjerë, më kriminale, nga ky pushtet, duhet ta dinë se qytetarët e bashkuar nesër në bllokimin total të transportit kombëtar mes orës 11:00 dhe 12:00, protestojnë dhe për të drejtat e tyre.”
Sipas njoftimit, pesë do të jenë akset që do të bllokohen:
- Në veri, rrethrrotullimi i Milotit që bllokon hyrjen për në Rrugën e Kombit;
- Në Tiranë, tek Sheshi Shqiponja dhe tek Mbikalimi pranë shkollës Teknologjike;
- Në juglindje, tek rrethrrotullimi i Bradasheshit që bllokon autostradën Tiranë-Elbasan;
- Në jug, tek rrethrrotullimi i Plugut që bllokon kalimin për në jug të vendit.
Ndërkohë policia nuk e ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për të protestuar në rrugët kryesore të vendit. Në një konferncë për shtyp Altin Qato Drejtori i Rendit dhe Sigurisë i bëri thirrje qytetarëve të mos dalin në rrugë:
“Zhvillimi i manifestimeve të paligjshme mund të shfrytëzohet dhe nga elementë kriminalë me qëllime të caktuara për të krijuar destabilitet. Qytetarët të shmangin pjesmarrjen në këto tubime të paligjshme, të jenë vigjilentë si dhe të tregojnë kujdes të madh nëse gjenden pranë këtyre tubimeve të paligjshme.
Policia e shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cënojnë lirinë qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për qarkullim të lirshëm.
Të gjithë ata që do të marrin përsipër tu shkojnë pas politikanëve të kujdo subjekti politik për të cënuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, dëmtuar bashkëjetesën e qytetarëve dhe ekonominë e bizneseve do të përballen me ligjin.”