Këto ditë, Kryeministri Edi Rama ka publikuar reklamën e fushatës zgjedhore në të cilët dukshëm ai përdor një makinë policie, në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Minsitrave i cili në mënyrë të qartë ndalon përdorimin e burimeve publike përfshirë edhe mjetet e policisë, për fushatë zgjedhore.
Reklama tregon Kryeministrin Rama duke drejtuar një makinë policie dhe duke gjobitur një djalë të ri i cili po përdor telefonin teksa nget makinën dhe kalon rrugën kur semafori është i kuq. Ndërsa djali i ri përpiqet të bindë Ramën të mos ta gjobisë, duke nxjerrë një sërë justifikimesh, Rama i tregon atij të gjitha gjërat e mira që qeveria mund të bëj me lekët e kësaj gjobe.
Krahasimi ndërmjet makinës së përdorur në reklamë dhe makinave elektrike të përdorura nga Polica Rrugore tregon se ato janë të njëjta.
Në reklamë, targa e makinës është e mbuluar si dhe logoja në derën anësore, siç duken dhe në foton e mësipërme. Gjithsesi modeli, dritat, rrotat, flamuri i vogël shqiptar pranë pasqyrës dhe dritat mbi makinë tregojnë se në video është përdorur një makinë e vërtetë policie, duke shkelur kështu një nga pikat e rëna dakord të Paketës McAllistër Plus dhe Vendimin e marrë së fundmi nga KM.
Ideja e mbrojtjes në mënyrë strikte të neutralitetit të policisë është fakti se policia luan një rol kyç në mbrojtjen e votive. Policia jo vetëm është në gadishmëri të qendrve të votimit në rast të prishjes së rendit, por dhe shoqëron kutitë e votimit nga qendrat e votimit në ato të numërimit. Për këto arsye është thelbësore që forcat e policisë të perceptohen si neutral.
Partia Socialiste jo vetëm që ka shkelur ligjin, por e identifikon policinë me kryeministrin, duke shkelur kështu edhe simbolikisht neutralitetin e policisë.