Qeveria në detyrë e Kosovës paralajmëroi të hënën se do të krijojë një fond emergjent për të gjithë familjet e prekura nga përmbytjet.
Lajmin e bëri me dije Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti gjatë një vizitë në fshatin Dobroshec.
Hoti tha se qeveria po kujdeset që të investojë aty ku situata është më e rënduar dhe shtoi:
“Do të themelojmë një fond emergjent për t’ju dalë në ndihmë familjeve që kanë pasë dëme në shtëpi, që janë në kushte të këqija. Me shtabe lokale do bëjmë vlerësimin e dëmeve dhe si t’ju dalim në ndihmë atyre”.
Hoti ishte i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili tha se janë evakuuar disa familje në Gjakovë. Quni shtoi se ata kanë pasur “angazhime tjera, në rajonin e Fushë Kosovës, Guri i Zi (komuna e Klinës, kemi ndihmuar Klinikën e Pulmologjisë, Qendrën e Forenzikës dhe një ekip është në rajonin e Vushtrrisë”.
Që nga e premtja, 8 janar, në Kosovë, dhjetra komuna janë përmbytur.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, IHK njoftoi se si rezultat i reshjeve intensive, niveli i ujit në lumenj është rritur.
Sipas të dhënave të IHK-së, kanë arritur kuotat maksimale në lumenjtë Drini i Bardhe, Ereniku, Peja Bistrica, Decani Bistrica, Mirusha, Toplluha, Ibri, Sitnica dhe Drenica.
Me përjashtim të komunave të tjera, përmbytje u raportuan në disa lagje të kryeqytetit, Prishtinës.
Nuk dihet ende për sasinë e dëmit material të shkaktuar në të gjithë vendin