Qeveria nuk ka ende një datë se kur do të marrë dërgesën e parë të vaksinës anti-Covid nga kompania Pfizer.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, të martën, Rama deklaroi se ‘Pfizeri ka probleme dërgesat në të gjithë vendet, sepse ka lajmëruar një stop për zgjerimin e bazës prodhuese’.
Rama tha se qeveria komunikon vazhdimisht me Pfizerin për të siguruar që të respektohet kontrata me Shqipërinë, të paktën për pjesën e parë të vaksinave, e cila pritej në javën e tretë të janarit.
Kryeministri shtoi se qeveria po bën negociata dhe me kompaninë tjetër Astra Zeneca, për një sasi vaksinash.
“Në 10 ditë, dy javët e ardhshme do kemi stabilitet dhe qartësi për vaksinat,” u shpreh Rama.
Ai sqaroi se ata që kanë marrë dozën e parë të vaksinës, do të marrin dhe dozën e dytë, pasi ‘është bërë kalkulimi që të mos ketë asnjë që të humbi procesin për shkak të mungesës së vaksinës.’
Shqipëria ka nisur procesin e vaksiminimit të mjekëve me vaksinën e Pfizerit, me 975 doza të dhuruara nga një vend ende i panjohur.
Të gjithë ata që kanë marrë një dozë, mjekë dhe infermierë, duhet të marrin të dytën në javën e parë të shkurtit.
Në fillim të janarit, teksa lajmëroi kontratën me Pfizerin për 500 mijë doza vaksine, Rama tha se 10750 doza të para do të vijnë në javën e tretë të janarit.
Në mes të janarit, shumë vende europiane deklaruan se po marrin më pak dërgesa vaksinash anti-Covid nga Pfizeri, pasi kompania amerikane ka ngadalësuar dërgesat.
Suedia, Danimarka, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia i kërkuan BE-së të ushtrojë presion mbi kompanitë Pfizer-BioNTech për të shtuar prodhimin.
Pas shqetësimit të vendeve, në 15 janar, Pfizer tha se dërgesat e reduktuara janë thjesht një çështje e përkohshme që ndikohen nga ndryshimet që kompania po bën për të rritur kapacitetet prodhuese.