Pasi pranoi të strehojë afganë që largohen nga regjimi i talebanëve, qeveria shqiptare ka vendosur të shtojë kapacitetet pritëse në Qendrën e Azilkërkuesve në Tiranë.
6,7 mln lekë do të përdoren nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkues me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese.
Sipas VKM-së së datës 20 gusht, fondi prej 6.7 milionë lekësh është marrë nga programi “Policia e Shtetit” dhe ka kaluar në programin “Planifikim Menaxhimi” të Ministrisë së Brendshme.
“Ngarkohet Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues që, për shkak të emergjencës së krijuar nga kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, të marrë masa të menjëhershme në funksion të rikonstruksionit të godinës”, thuhet në VKM.
Kryeministri Rama ka deklaruar më herët se afganët nuk do të strehohen në kampe të posaçme për ta pasi sipas tij kjo do të ishte çnjerëzore.
Kur njoftoi vendimin e qeverisë për të pranuar kërkesën për strehimin e afganëve, Rama tha se do të vijnë disa qindra.
Më vonë kryeministri tha për gazetën spanjolle El Periodico se fillimisht do të vijnë 1 mijë afganë.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka deklaroi pas një mbledhje të NATO-s se Shqipëria është e gatshme të strehojë mijëra afganë.
Qeveria ende nuk ka bërë publik planin se sa afganë do të strehohen në Shqipëri.
Grupi i parë i emigrantëve pritet të vendosen në dy godina në Qytetin Studentin. Vende të tjera strehimi do të jenë disa hotele në Durrës dhe një hotel në Berat.