€1,8 milionë të tjera për rindërtimin e Sheshit Italia, mbi €5,5 në total

Nga Gerard Gega
€1,8 milionë të tjera për rindërtimin e Sheshit Italia, mbi €5,5 në total

Qeveria ka dhënë €1,8 milionë të tjera për rindërtimin e Sheshit Italia, përpara stadiumit të ri kombëtar.

Me parë ajo kishte akorduar rreth €2,8 milionëve për ndërtimin e parkingut nëntokësor të sheshit, pa llogaritur shpenzimet e shpronësimeve, kostoja e rindërtimit të sheshit, deri tani, ka arritur në mbi €5,5 milionë.

Punimet do të zgjashin 3 muaj dhe parashikojnë shtrimin me pllaka të sheshit dhe një rrugë dykalimshe midis Pallatit të Kongreseve dhe Kolonave.

Punimet do t’i kryejë kompania Salillari, e cila ka fituar tenderin e zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke paraqitur ofertën më të ulët.

Në garë morën pjeseë edhe katër kompani të tjera: Alb-Star (€2,4 milionë); 4A-M & Ed-Konstruksion (€2,2 milionë; Fusha (€2,5 milionë euro) dhe Gjikuria, e cila nuk paraqiti ofertë.

Fillimisht, në sheshin Italia u ndërhy për të ndërtuar parkim nëntokësor, projekt i financiuar nga buxheti i shtetit me €2,8 milionë euro. Punimet po i kryen kompania Alb-Star, e cila ndërton edhe stadiumin e ri kombëtar.

Në fillim të korrikut, Bashkia Tiranë shembi një ndërtesë që ndodhej aty, për të filluar rindërtimin e pjesës sipër të sheshit. Qeveria kishte vendosur, katër muaj pasi e kishte legalizuar një kat shtesë, shpronësimin e asaj ndërtese me rreth 850 mijë euro.

Shembja u bë me nxitim, në arbitraritet dhe dhunë qeveritare. Bizneseve nuk iu dha kohë për të zbrazur ndërtesën. Me shembjen autoritetet dëmtuan materialet e zyrës së një biznesi që kishte marrë mjediset aty me qira.

Kostoja €5,5 milionë euro për rindërtimin e Sheshit Italia është afërsisht sa gjysma e parave që u shpenzuan për rindërtimin e Sheshit Skënderbej.

Në fakt, ajo që nisi si një ndërhyrje për të shtuar kapacitetet e parkingjeve të qytetit do të mbyllet me një kosto të lartë, duke nxitur dyshime për afera korruptive.

Exit.al ka shkruar më parë për tenderat e dyshimtë miliona eurosh për parkingun nëntokësor me kosto totale 2,8 milionë euro në Sheshin Skënderbej.

Në total, vetëm për rindërtimin e 3 shesheve me parking nëntokësor Bashkia Tiranë ka shpenzuar deri më sot mbi 25 milionë euro.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>