Qeveria keqinformon, “ndryshimet” në ligjin për PPP-të nuk sjellin asnjë ndryshim

Nga Megi Ndregjoni
Qeveria keqinformon, “ndryshimet” në ligjin për PPP-të nuk sjellin asnjë ndryshim

Ditët e fundit, qeveria ka njoftuar se ka vendosur të kufizojë koncesionet dhe partneritetet publike-private (PPP) dhe të rrisë transparencën e llogaridhënien e kontratave koncesionare. Por, ky pohim i qeverisë është në thelb i pavërtetë. Ai është më shumë qëndrim propagandistik se sa realitet. Duket se qeveria e ka hartuar ligjin nën trysninë e kritikave të vazhdueshme për abuzime dhe korrupsion me koncesionet e deritanishme.

Për këtë, para pak ditësh, Kryeministri Rama i përcolli Kuvendit një projektligj për ndryshime në ligjin për koncesionet, i cili u paraqit në media si nisma ligjore për ndalimin e koncesioneve.

Exit.al shqyrtoi ndryshimet e propozuara dhe mendon se ndryshimet ligjore nuk do të sjellin, në vetvete, ndryshime praktike, as në fushën, as në numrin dhe as në mënyrën e dhënies së koncesioneve. Përkundrazi, ato mund të rrisin koston ndaj qytetarëve dhe të ulin transparencën e dhënies së tyre.

Ndryshimet ligjore cënojnë transparencën e procesit

Ligji i tanishëm për koncesionet (neni 17, pika 4), i detyron autoritetet kontraktuese (ministritë dhe bashkitë) të njoftojnë Agjencinë e Prokurimeve Publike, për çdo kontratë që vendosin të marrin në shqyrtim:

Autoriteti kontraktues, njofton Agjencinë e Prokurimit Publik çdo gjashtë muaj për projektet e koncesioneve/partneritetit publik privat në shqyrtim.

Nga ana e tij, ligji e ngarkon APP-në të mbikëqyrë procesin e dhënies së koncesioneve për të garantuar transparencën e procesit.

Ndryshimet e propozuara e shfuqizojnë këtë pikë të ligjit, që do të thotë se ministritë dhe bashkitë tani mund të shqyrtojnë dhe negociojnë koncesione dhe projekte publike-private pa njoftuar asnjë institucion tjetër. Ministritë dhe bashkitë, tani duhet të mbikëqyrin vetë veteveten, duke i paraqitur raporte vetëm Ministrisë së Financave:

Autoritetet kontraktuese i paraqesin, sa herë që kërkohet, por jo më pak se tri herë në vit, ministrit përgjegjës për financat, raporte të përmbledhura të monitorimit të zbatimit të kontratave të koncesionit/PPP, me argumentet dhe shpjegimet përkatëse.”

Largimi i Agjencisë së Prokurimit Publik nga mbikëqyrja e procesit të tenderimit, e bën atë më pak transparent, pasi ky autoritet lidh edhe monitoron kontratat PPP.

Propozimet e pakërkuara për ndërtimin e rrugëve do të ndalohen, por kjo nuk do të ketë ndikim

Ndryshimet ligjore propozojnë ndalimin, duke filluar nga gusht 2019, të propozimeve të pakërkuara nga kompanitë private për investime për rrugët. Ndërkohë, do të vazhdojnë të lejohen këto lloj propozimesh për portet, aeroportet, prodhimin e shpërndarjen e energjisë elektrike, për shpërndarjen e gazit natyror dhe prodhimin e shpërndarjen e energjisë për ngrohje.

Në pamje të parë duket se ndalimi i propozimeve, drejtpërdrejt nga privatët, për projektet e rrugëve është ndryshim i rëndësishëm, por në të vërtetë ky kufizim nuk do të ketë ndikim praktik. Jo vetëm sepse koncesionet në rrugë do të vazhdojnë të bëhen me projekte të hartuara nga vetë qeveria, si në rastin e Unazës së Tiranës, por sepse, tashmë, të gjitha propozimet e mundshme të pakërkuara janë bërë dhe janë kontraktuar ose janë në shqyrtim për t’u kontraktuar. Për ndonjë rrugë me leverdi që nuk është bërë, ka kohë të bëhen propozime të pakërkuara deri më korrik 2019, periudhë që mund të jetë lënë qëllimisht për këtë.

Disa nga rrugët e kontraktuara me kocension për (ri)ndërtim apo mirëmbajtje, ose për të cilat janë paraqitur tashmë propozime të pakërkuara përfshijnë: Tiranë-Elbasan, Rruga e Kombit, Rruga e Arbërit, Milot-Balldre, Tiranë-Durrës, Thumanë-Kashar dhe Orikum-Dukat.

PPP-të mund t’u kushtojnë më shumë qytetarëve

Projektligji parashikon se, nëse oferta e pakërkuar, mbi bazën e së cilës do të zhvillohet gara për dhënien me kontratë PPP, nuk del fituese, kompania propozuese do të shpërblehet me një për qind të vlerës së kontratës nga buxheti i shtetit.

Përtej kësaj kostoje shtesë, ky përcaktim ligjor do të nxisë kompanitë që bëjnë propozime të pakërkuara, për të rritur edhe më shumë vlerësimet e kostove të projekteve që propozojnë.

Nga ana tjetër, ndryshimet e propozuara themelojnë një institucion të ri, Komitetin e Përzgjedhjes së Projekteve PPP, i cili do të përbëhet nga 5 ministra që mbulojnë— financat, infrastrukturën, energjinë, zhvillimin urban dhe mjedisin.

Komiteti do të përzgjedhë projektet që kanë nevojë për studim më të thelluar bëshmërie—pra, përtej studimit të bëshmërisë të paraqitur nga kërkuesit privatë—dhe përzgjedhjen e specialistëve të huaj ose vendas për kryerjen e këtyre studimeve. Komiteti do të përzgjedhë specialistët për studimet e bëshmërisë edhe për të gjitha rastet e investimeve me vlerë mbi 100 milionë euro, të cilat duhet të bëhen nga qeveria, pavarësisht propozimit të privatëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>