Selami Simsek, një nënshtetas turk i akuzuar si pjesë e rrjetit gylenist, po mbahet jashtë çdo rregulli në Ministrinë e Brendshme.
Sipas gazetarit të Fax News, Bekim Bici, Ministria po përgatit ekstradimin e tij në Turqi edhe pse ai ka kërkuar strehim politik, e cila i është mohuar jashtë çdo lloj procedure dhe standardi për tyë drejtat e njeriut.
Gazetari Bici ka arritur ta filmojë Simsekun ndërsa mbahej në mënyrë të pashpjegueshme në Ministrinë e Brendëshme. Për shkak të filmimit policia e ka ndaluar pas mesnatës së të hënës, por e ka lënë pas disa orësh.
Bici ka pohuar se në Ministri ndodhej edhe Ministri Sandër Lleshaj, duke theksuar se ngjarja po kërkohej të mbahej e fshehtë, njësoi si në rastin e Çelikut, i cili u dëbua 3 muaj më parë në Turqi pavarësisht se atje i rrezikohej jeta.
Në janar Simsek, baba i dy fëmijëve, u dënua nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg për falsifikim dokumentesh. Pas vendimit të gjykatës ai kërkoi azil me argumentin se në Turqi nuk i garantohej një gjyq i drejtë për akuzat e ngritura si anëtar i lëvizjes Gylen.
Ditën e hënë, Gjykata e Apelit e liroi, pasi pjesën e dënimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës ai e kishte shlyer me paraburgim.
Babai i Simsekut ka shpjeguar për Fax News se pasditen e së hënës 39-vjeçari kishte vajtur në zyrat e emigrimit për të kryer procedurat e azilit, por pasi ka dalë që andej nuk është dërguar në kampin e azilit në periferi të Tiranës.
Fax News raportoi se në orët e vona të mbrëmjes Simsek ishte dërguar në Ministrinë e Brendshme. Në përpjekje për t’i marrë atij një intervistë gazetari Bekim Bici është shoqëruar në polici.
Simsek ishte në burg prej korrikut të vitit 2019. Ai u arrestua së bashku me mikun e tij Harun Çelik ndërsa po udhëtonin në aeroportin e Rinasit tranzit për në Kanada me pasaporta false.
Ata konsiderohen anëtarë të lëvizjes Gylen, cilësuar nga Ankaraja zyrtare si organizatë terroriste, organizatore e puçit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
Çeliku u dëbua më 1 janar në shkelje të të gjitha procedurave. Ai kishte kërkuar azil, por kërkesa iu refuzua.
Këshilli i Evropës e quajti shkelje të të drejtave të njeriut ndërsa eurodeputetja rumune Ramona Strugariu i kërkoi shtetit shqiptar transparencë për procedurat që u ndoqën.