Kryeministri Rama vazhdoi edhe sot me publikimin në Facebook të serisë së raporteve të dëgjesave me qytetarët në qytete të ndryshme të vendit.
Në Durrës, duket se takimi i tij politik me “njerëzit e thjeshtë” të qytetit ka çuar në disa rezultate të papritura. Katër ankesat më të përmendura të qytetarëve janë të gjitha të lidhura me infrastrukturën: sistemet e kanalizimeve, mungesa e investimeve publike, mungesa e ujit të pijshëm dhe infrastruktura rrugore.
Sa i përket mungesës së ujit të pijshëm, këto ankesa nuk janë të habitshme. Gjatë 5 viteve të fundit, Bashkia e Durrësit, e udhëhequr kryebashkiaku socialist Vangjush Dako, ka ulur investimet në sistemin e ujësjellësit nga 707.8 milionë lekë në 2012 në 14.82 milionë lekë në vitin 2016.
Ndërkohë, ndërtimi i disa projekteve prestigjioze, – njëra prej të cilave është projektuar nga një arkitekt i dënuar më parë për korrupsion, dhe ka shkatërruar të gjitha pasuritë arkeologjike, – do të kushtojë rreth 18.3 milionë euro, ose sa 40 për qind e buxhetit të përgjithshëm të Bashkisë Durrësit për vitin 2017.
Dhe pavarësisht këtyre investimeve të mëdha, qytetarët e Durrësit – ose të paktën ata që shpenzojnë kohë për të folur me Kryeministrin në një takim që nuk ka vlerë juridike apo administrative – mendojnë se “mungesa e investimeve publike” është një nga problemet kryesore në qytetin e tyre.
Por, çfarë mund të bëjë Kryeministri? Të shkarkojë kryebashkiakun Dako, apo të injorojë “njerëzit e thjeshtë”?