Qytetarët letër Këshillit Bashkiak: Mos votoni për rritjen e çmimit të ujit

Qytetarët letër Këshillit Bashkiak: Mos votoni për rritjen e çmimit të ujit

Një grup qytetarësh të Tiranës i drejtuan sot një letër anëtarëve të Këshillit Bashkiak Tiranë lidhur me vendimin për rritjen e çmimit të ujit, i cili do të votohet sot në mbledhjen e KB.

Qytetarët i kërkojnë këshilltarëve të mos e miratojnë projektvendimin e Kryebashkiakut Veliaj duke renditur një sërë argumentesh, disa prej të cilave janë:

  1. Bashkia argumenton se UKT është një ndërmarrje jo-rentabël e cila ka nevojë për më shumë likuiditet që të kryejë investime, por bazuar në informacionet publike, vetëm në vitin 2016 UKT ka deklaruar një fitim prej 5 milionë eurosh. Qartazi kompania nuk është në vështirësi financiare sic pretendon Bashkia.
  2. Bashkia pretendon se rritja e çmimit do të përmirësojë shërbimin, por bazuar në informacionet zyrtare ne gjykojmë se problemi i shërbimit qëndron te keqmenaxhimi i kompanisë e jo te tarifat. Më konkretisht, sipas raportit të ERRU për vitin 2015, 66.7 për qind e ujit të shpërndarë nga ujësjellësi nuk tarifohet dhe kjo shifër u rrit në 67.1% në vitin 2016. Praktikisht vetëm 22.9% e ujit të shpërndarë faturohet, pjesa tjetër ose vidhet ose shpërdorohet duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm kompanisë. Qartazi problemi nuk qëndron të tarifat por te menaxhimi.

Qytetarët njoftojnë se sot në orën 18:00 do të protestojnë përpara Bashkisë Tiranë, ku dhe zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak.

Deri më tani, këshilltarët e djathtë në Bashki kanë deklaruar se nuk do ta votojnë projektvendimin, ndërsa këshilltarët e LSI i kanë kërkuar Kryebashkiakut Veliaj të plotësojë disa kushte:

Të ndërpresë lidhjet e paligjshme të ujit dhe të ndalojë favozimet ndaj bizneseve të caktuar;

Të përjashtohen nga vendimi familjet me vështirësi ekonomike dhe familjen e pensionistëve;

Të aplikohen çmime të diferencuara për bizneset që përdorin pasivisht ujit (fabrikat e birrave, pijeve etj).

Mbledhja e Këshillit Bashkiak do të nisë në orën 18:00.

Lajme te ngjashme