Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuave se ai është nxitësi i dhunës që çoi në vrasjën e 25 vjeçarit, duke i kujtuar kreut të PD, Lulzim Basha dhe presidentit Meta 21 janarin.
Të enjten, Rama është shprehur në fjalimin për vdekjen e Klodian Rashës se Ilir Meta dhe Lulzim Basha janë të fundit që mund të përbaltin policinë.
“Presidenti i Republikës, që është në fakt prova më ulëritëse e përdorimit disproporcional të forcës së inatit politik e personal në dëm të etikës institucionale dhe vetë ligjit, është i parafundit që duhet të hapë kamaren e gojës për sjelljen e Policisë së Shtetit… Sidoqoftë është i parafundit në këtë rast. Sepse i fundit, është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha. Ai në fakt është shembëlltyra e pafuqisë morale dhe e dobësisë karakteriale, jo thjesht sepse është udhëheqësi i disa revolucioneve të mbetura në tentativë, të cilat të vetmen arritje kanë pasur plagosjen e policëve, as sepse është ndotësi numër dy i Policisë së Shtetit me baltën e pafundme të shpifjeve e të akuzave, pas kutërbuesit numër 1 të historisë së Shqipërisë që ka mbi kokë, ai bashkë me Partinë Demokratike, por sepse është ministri i brendshëm i masakrës së 21 janarit”, ka thënë Rama në fjalim.
Veprimin e polcit që vrau 25-vjeçarin Rama e ka cilësuar si përjashtim duke thënë se “si çdo pyll me derra, edhe policia e shtetit ka të padenjët e saj”.
“Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje, gjendja e rendit sot nuk ka asnjë krahasim me dje, sjellja e policisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje”, tha ndër të tjera kryeministri.