Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kreut të PD-së Lulzim Basha se Komiteti i Ekspertëve anti-Covid ‘është fasadë e Ramës’.
Në një video në Facebook, kryeministria jep jetëshkrimin e mjekëve dhe ekspertëve që janë pjesë e Komitetit, duke theksuar dhe arritjet e tyre profesionale.
Rama e nis me zëvendësministren e Shëndetësisë Mira Rakacolli e cila ka që prej vitin 1986 që është mjeke neurologe.
Më pas Rama përmend kualifikimet dhe arritjet e Prof. Najada Çomos, shefe e spitalit Infektiv në QSUT, Prof. Andi Koraqit, shef i laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, profesiorit të Sëmundjeve Infektive Tritan Kalos.
Rama thekson se pjesë e komitetit të ekspertëve janë dhe figura si Silva Bino, e cila përveç se shefe e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, është dhe konsulente e OBSH-së dhe agjensive të tjera të Kombeve të Bashkuara për sëmundjet infektive.
Komiteti i përkohshëm për infeksionin e Covid-19 u ngrit më 31 janar 2020. Si organ, ai i raporton Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kryesohet nga zëvendësministrja Mira Rakacolli dhe përbëhet nga 11 anëtarë të tjerë:
- Flutra Beqo, drejtoreshë në Ministrinë e Shëndetësisë
- Albana Fico, drejtoreshë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP)
- Silva Bino, drejtoreshë në ISHP
- Vjollca Braho, kryeinspektore e ISHP-së
- Najada Como, përgjegjëse shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT)
- Tritan Kalo, mjek infeksionist në QSUT
- Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare
- Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetesor
- Andi Koraqi, përgjegjës shërbimi në QSUT
- Gjeorgjina Kuli, infeksioniste pediatre në QSUT
- Narvina Sinani, drejtoreshë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore