Rama justifikon emigrimin me tezat e 1991-shit

Rama justifikon emigrimin me tezat e 1991-shit

Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e BE-së në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Francë.

Çështje e emigracionit shqiptar është të paktën prej dy vjetësh çështja kryesore në marrëdhëniet e Shqipërisë me këto shtete të BE-së. Këto vende shpesh kanë kërcënuar me vendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë si masë parandaluese për emigracionin e paligjshëm.

Kështu në dhjetor të 2017, Ministri i Brendshëm i Francës Gerard Collomb, erdhi në Tiranë për një vizitë dy ditore, me qëllim ushtrimin e trysnisë ndaj qeverisë shqiptare për të kontrolluar gjendjen e rëndë të azilkërkuesve të paligjshëm të shqiptarëve në Francë.

Ndërsa në prill 2017, Sekretari për Azil dhe Migracionin në Belgjikë, Theo Francken vizitoi Tiranën dhe i bëri apel shqiptarëve të mos aplikojnë për azil në Belgjikë, pasi nuk do të pranohen.

Po ashtu në prill 2017, dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Hollandës, Bert Koenders, vizitoi Tiranën dhe diskutoi për emigracionin dhe riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë.

Por pavarësisht shqetësimit të vendeve të BE-së, dhe deklaratave të qeverive evropiane për emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve, Kryeministri Rama vazhdon të mos e adresojë problemin e emigrimit.

Dje në darkë, në një intervistë me gazetaren e France 24, Edi Rama u shpreh se “është ndryshimi i sistemeve” që ka sjellë emigrimin:

“Pas izolimit të Shqipërisë, vendi u hap. Njerëzit largohen, njerëzit kthehen sërish. Është ndryshimi i sistemeve që e sjell këtë gjë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër mendoj se është normale që njerëzit të largohen dhe të kthehen.

Historia na tregon se vendet që janë të pasura, ato më të pasurat sot në Europë kanë qenë vende të varfra, ku njerëzit kanë emigruar dhe kanë ndihmuar më pas familjet e tyre. Kanë mësuar shumë gjëra në botë dhe janë kthyer pas me kultura dhe kapacitete të reja, duke pasuruar vendet e tyre”.

Por sipas një studimi të kryer, “Cooperation and Development Institute (CDI) ShtetiWeb” e mbështetur nga zyra e Tiranës e Hanns-Seidel Foundation (HSF), shqiptarët emigrojnë për shkak të papunësisë, të ardhurave të pakta; si dhe kushteve të këqija të jetesës. Pra arsyet ekonimike dhe jo ndryshimi i sistemit janë shkaqet kryesore se përse shqiptarët emigrojnë.

Ky fakt mbështetet edhe nga raporti i BERZH “Jeta në tranzicion”, i botuar në vitin 2017, sipas së cilit “73 për qind e shqiptarëve mendojnë se situata ekonomike në vend është përkeqësuar ose ka mbetur njësoj, krahasuar me 4 vite më parë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>