Kryeministri Rama ka kritikuar qasjen e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor në samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur sot.
Rama tha se BE “po shuan flakën e shpresës tek e ardhmja” dhe se nacionalizmat brendaj tij kanë nënshtruar procesin e integrimit europian.
Rama u shpreh skeptik edhe mbi planin ekonomik të investimeve të BE në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij ky plan nuk do të shpëtojë vendet e rajonit nga hendeku me BE-në.
Rama vuri në dukje se ndihma e BE për frymë në Ballkanin Perëndimor është 10 herë më e vogël se ndihma për frymë për Kroacinë, e cila është anëtare e BE.
“Ne nuk kemi iluzionin se të gjitha këto do të na shpëtojnë nga hendeku shumë, shumë i madh, midis nesh dhe Bashkimit Europian. Ballkani Perëndimor do të marrë 507 euro për frymë….krahasuar me Kroacinë, ajo do të marrë 5195 euro, për frymë”, deklaroi kryeministri.
Më herët, eurokomisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi tha se plani i BE i Investimeve për Ballkanin Perëndimor me vlerë afër 30 miliardë €, do të ndihmojë në ngushtimin e hendekut të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Rama iu drejtuar krerëve të tjerë të rajonit duke thënë se nuk duhet “të bëhemi viktima të vetove” dhe nevojës për konsensus.
Ai veçoi gjithashtu tre objektiva për rajonin: Veprim për tregun e përbashkët rajonal, planin ekonomik dhe të investimeve, zbatim të katër lirive të Europës.
Kritikat e Ramës vijnë pasi Bullgaria vendosi veton në Këshillin e Bashkimit Europian kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Për pasojë, në këtë proces ngeci edhe Shqipëria pasi dy vendet e rajonit preferohet të vijojnë të pandara rrugën drejt BE.