Rama pranon moshapjen e negociatave në qershor 2019, zbulon gënjeshtrat e vitit të fundit

Rama pranon moshapjen e negociatave në qershor 2019, zbulon gënjeshtrat e vitit të fundit

Kryeministri Edi Rama pranoi sot për herë të parë se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk do të hapen as këtë qershor. Në një mbledhje të grupit parlamentar socialist, ai zbuloi se Bundestagu gjerman nuk do të autorizojë Kancelaren Merkel të votojë pro hapjes së negiociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian në qershor 2019.

Sipas kushtetutës gjermane, është parlamenti që vendos për të gjitha çështjet e zgjerimit të BE-së. Në takimet e kësaj jave në Berlin, zotit Rama i është bërë e ditur se duke qenë se Raporti i Përparimit i Komisionit Europian do bëhet publike vetëm më 28 maj 2019, Bundestagu nuk ka kohë të mjaftueshme ta shqyrtojë atë para shtatorit 2019, pra tre muaj pas mbledhjes së Këshillit. Zoti Rama pohoi:

“Është folur për shtatorin nga pala gjermane, po kurrsesi për mosçelje negociatash për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë.”

Kjo do të thotë se edhe nëse Bundestagu do të japë rekomandim pozitiv në shtator, koha më e afërt kur mund të merret sërish në konsiderate hapja e negociatave është dhjetori 2019, kur do jetë takimi i ardhshëm i Këshillit Europian. Por edhe dhjetori ka pak gjasa, pasi çështjet e zgjerimit zakonisht shqyrtohen në mbledhjen e qershorit dhe jo të dhjetorit – Këshilli Europian mblidhet një herë në gjashtë muaj, në qershor dhe dhjetor të çdo viti.

Kjo do të thotë se vendimi për hapjen e negociatave me BE-në nuk do të merret para qershorit 2020.

Deklarata e sotme e Kryeministrit Rama i jep fund përpjekjeve njëvjeçare të tij për të keqinformuar dhe paraqitur një situatë më pozitive se sa ajo është në të vërtetë.

Pas vendimit të Këshillit Europian në qershor 2018 për të mos hapur negociatat duke e shtyrë vendimin për një vit më pas, Kryeministri Rama ka këmbëngulur se në fakt Këshilli kishte vendosur që negociatat do të hapeshin në qershor 2019 dhe takimi i qershorit 2019 ishte thjesht një takim formal për të shënuar fillimin e negociatave. Për ta bërë sa më të besueshëm këtë pohim, ai dhe minsitrat e tij kanë deklaruar se Komisioni Europian ka filluar procesin e ashtuquajtur “screening”, analizën e gjendjes aktuale të legjislacionit dhe standardeve për të vlerësuar se cilat janë çështjet që duhet te negociohen.

Tashmë, është e qartë se këto qëndrime kanë qenë propagandë dhe keqinformim. E vërteta është se nuk është marrë asnjëherë vendim për hapjen e Shqipërisë, dhe tashmë është e sigurtë se një vendim i tillë nuk do merret as për një tjetër vit.

Sot Kryeministri Rama ka pranuar edhe një të vërtetë tjetër që e ka mohuar për më shumë se një vit. Për herë të parë ai ka pranuar se parlamenti gjerman, Bundestagu, ka fuqinë për të ndaluar hapjen e negociatave.

Për vite me radhë Kryeministri ka këmbëngulur se Parlamenti gjerman ishte i parëndësishëm në marrjen e këtj vendimi për Shqipërinë, pasi këtë e vendoste Kancelarja Merkel. Pavërtetësinë e këtij pohimi, që Rama e pranoi sot, Exit.al e ka trajtuar edhe më herët, duke zbuluar faktin se parlamenti gjerman është i vetmi parlament ndër vendet e BE-së që ka të drejtë vetoje ndaj qeverisë për çështjet e integrimit europian.

Në vitin 2018, Kryeministri Rama dhe mediat pranë tij sulmuan kryetarin e Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, i cili tha se Shqipëria do të hapte negociatat vetëm kur të përmbushte kushtet. Ndër kushtet që Krichbaum theksoi ishte reforma zgjedhore, e cila ende nuk është kryer.

Edhe në nëntor të vitit 2016, Rama sulmoi ashpër, po njësoj, deputetët e parlamenteve të BE se po shfrytëzonin Shqipërinë për populizmin e tyre në politikën e vendeve të tyre. Ai tha se këta deputetë po shpiknin kushte, po shtrembëronin raportin e Komisionit Europian dhe po i gëzoheshin famës në mediat shqiptare. Edhe atëherë Krichbaum sapo i kishte përcjellë qeverisë shqiptare mendimin e Bundestagut kundër hapjes së negociatave. Rama e sulmoi po njësoj dhe përsëriti se vendimin e merrte Merkeli.

Qëndrimin e Bundestagut kundër hapjes së negociatave kryeministri është përpjekur ta kalojë sot me me pretendimin se arsyeja e qëndrimit gjendet te zgjedhjet europiane që do të zhvillohen në maj 2019.

Por, në fakt, Bundestagu gjerman ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe para një viti, kur nuk kishte zgjedhje europiane. Madje Bundestagu gjerman ka vendosur kushte shtesë, përtej kritereve të BE-së për të dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave, për të cilat ne kemi shkruar gjerësisht më parë. Bundestagu në fakt ndjek nga afër përparimet e Shqipërisë dhe ka shpreur kritika të vazhdueshme për përmbushjen e kritereve nga qeveria shqiptare.

Kjo do të thotë se ai do të vazhdojë të mbetet pesimist për dhënien e autorizimit për hapjen e negociatave.

Nga ana tjetër, edhe Franca ka një qëndrim kundër zgjerimit të BE-së në afatshkurtër. Sipas Financial Times, Presidenti Makron ua bëri të qartë drejtuesve të Ballkanit Perëndimor se ata duhet të rregullojnë njëherë punët në vendet e tyre, pasi BE nuk do të zgjerohet së shpejti. Kjo mund të sjellë një votë kundër edhe nga qeveria franceze.

Gjermanisë dhe Francës i shtohet edhe Holanda, parlamenti i së cilës ka rol këshillimor ndaj qeverisë për hapjen e negociatave. Para pak javësh ky parlament kërkoi rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë për shkak të rrezikut të kriminelëve shqiptarë për sigurinë e Holandës.

Sot Kryeministri kundërshtoi gjithçka që ka thënë vetë ndër vite në lidhje me hapjen e negociatave. Ai duket se u përpoq, duke folur në mënyrë të paqartë, të linte të kuptohej se hapja e negociatave vetëm sa po shtyhet për në shtator, për shkak të rrethanave të brendshme të BE-së. Në fakt, kjo është e pavërtetë dhe gjasat janë të mëdha që një vendim për Shqipërinë të merret në qershor 2020.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>