Qeveria pritet të zhvillojë nesër mbledhjen e parë të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën e koronavirusit në Shqipëri.
Media të ndryshme kanë raportuar se mbledhja e qeverisë do të zhvillohet në orën 9:00. Shkak për këtë mbledhje bëhet situata alarmante në Itali.
Të dielën autoritetet italiane raportuan për një rritje të të infektuarve dhe po kështu edhe të viktimave. Numri i të prekurve shkoi në 6 387 ndërsa i të vdekurve 366.
Për situatën në Shqipëri Presidenti Ilir Meta dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, apeluan sot masa emergjente.
Prej 29 janarit, qeveria është zotuar se ka shtuar masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në Shqipëri.
Ajo ka ngritur një Task-Forcë të përbërë nga 24 ekspertë të shëndetësisë, ka angazhuar një fond prej 1 milionë dollarësh për të përballuar koston e materialeve mjekësore të nevojshme, ndërsa dy javët e fundit ka kryer rreth 60 analiza rastesh të dyshuara.
Autoritetet shëndetësore kanë këmbëngulur vazhdimisht se nuk ka asnjë rast me koronavirus në Shqipëri, ndërkohë që qytetarët që vijnë nga zonat e prekura janë këshilluar të vetëkarantinohen për 14 ditë.