Kryeministri Rama deklaroi të martën se drejtori i Policisë Ardi Veliu gaboi kur u mundua të justifikojë dhunën e policëve ndaj 15-vjeçarit, por se publiku e ka keqkuptuar.
Duke folur gjatë inagurimit të spitalit Covid-4, Rama tha se beson shpjegimin e Veliut, i cili pretendon se kur tregoi videon e nënës së djalit, donte të tregonte se familja ka rol të rëndësishëm në edukimin e brezit të ri:
“Drejtori i policisë, […] ka gabuar.
Por jam më i pritur t’i besoj ndjesës së tij publike dhe sqarimit që dha, sesa të gjithë moralistëve të mexhelistit të këtij vendi.
Është e qartë që nuk ishte përpjekje për të justifikuar dhunën, sepse polici, për të cilin flitej, është pezulluar menjëherë dhe është çuar në hetim penal, por ishte një përpjekje e keq shpjeguar për të thënë se dakord të gjitha, por edhe familja përgjegjësinë dhe rolin e vet në mirërritjen e brezit të ri.”
Rama vlerësoi Ardi Veliun për profesionalizmin dhe integritetin e tij dhe tha se kjo ‘çështje është e mbyllur’:
“Ishte gabim, por preferoj ndjesën publike të tij dhe shpjegimin dhe duke e njohur dhe vlerësuar për integritetin moral të pa vënë në diskutim nga askush, ëështja për mua është e mbyllur. Ata që prediktojnë më shumë moral dhe ligjësi morale kam fatin t’i njoh, mes të dyve zgjedh drejtorin.”
Më 29 maj, Veliu justifikoi dhunën e dy policëve mbi një 15-vjeçar duke pretenduar se djali vinte nga një familje problematike, ku e ëma mbante pistoletë.
Për të vërtetuar këtë, Veliu tregoi një video ku shfaqej e ëma e 15 vjeçarit, që i drejtonte pistoletën një gruaje tjetër. Më vonë u zbulua se kjo video ishte pjesë e një filmi shqiptar, ku zonja kishte aktruar.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA, ka kërkuar shkarkimin nga detyra të Ardi Veliut.
Ndërsa familja e djalit ka deklaruar se do të padisë Veliun ‘për shpifje dhe për përdorimin e të dhënave personale.’