Rama në kantierin e Kardhiq – Delvinës, rruga 60 mln euro që shkaktoi furtunë në ARRSH

Nga Exit News
Rama në kantierin e Kardhiq – Delvinës, rruga 60 mln euro që shkaktoi furtunë në ARRSH

Kryeministri Rama dhe ministrja e Infrastukturës, Balluku ndaluan të enjten në kantierin ku po ndërtohet tuneli i Skarficës, pjesë e rrugës Kardhiq – Delvinë, ndërtimi i së cilës është zvarritur gjatë viteve dhe dy vite më parë çoi në dorëheqjen e drejtoreshës së ARRSH, Sonila Qato.

Balluku deklaroi se megjithëse afati për përfundimin e rrugës është gushti 2022, ajo do të jetë e kalueshme për njerëzit përpara sezonit të ardhshëm turistik të verës.

Tuneli i Skarficës është 1346 metra i gjatë dhe sipas ministres kanë mbetur ende 35 metra për t’u hapur.

Si erdhëm deri këtu?

Rruga Kardhiq-Delvinë u planifikua për t’u ndërtuar që në vitin 2007.

E gjithë rruga është e gjatë 36.5 km dhe punimet janë ndarë në 8 segmente me 8 tendera të ndryshëm.

Më 25 prill 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi tenderin 19 milionë euro (2,3 miliardë lekë) për ndërtimin e tunelit të Skarficës është segmenti i 7-të i rrugës Kardhiq Delvinë.

Në garë u paraqitën 6 oferta. Më 17 qershor 2019, ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta dhe shpalli fitues një bashkim kompanishë që kishte dhënë ofertën më të lartë – 18.9 milionë euro rreth 98.5 për qind të fondit të vënë në dispozicion nga qeveria.

Kompania me ofertën më të ulët, Gjoka Konstruksion, u ankua në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP) duke pretenduar se ishte skualifikuar pa të drejtë dhe se tenderi i takonte asaj.

Më 9 korrik 2019, KPP vendosi në favor të saj, anuloi vendimin e ARRSH dhe i kërkoi që brenda 10 ditëve fituesi i tenderit të shpallej Gjoka Konstruksion.

ARRSH nuk e zbatoi vendimin e saj por nisi një inspektim ndaj kompanisë Gjoka Konstruksion dhe arriti në përfundimin se ajo nuk kishte kryer disa punime të cilat kishte deklaruar se i kishte kryer kur kishte aplikuar për tenderin.

Më 12 shtator ARRSH i kërkoi Agjencisë së Prokurimit Publik hetim administrativ ndaj Gjoka Konstruksion dhe përjashtimin nga tenderët publikë. Po në këtë ditë, në mënyrë të papritur Ministria e Infrastukturës vendosi të anulojë tenderin për segmentin 7 të rrugës Kardhiq – Delvinë “për projekte më emergjente”.

Partia Demokratike akuzoi  ARRSH-së se kishte shpallur fituese bashkimin e disa kompanive, pas të cilave fshihej realisht kompania Vëllezërit Hysa, e përfshirë dhe në skandalin e DH-Albania me tenderin e Unazës së Madhe.

Më 19 shtator 2019, drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato jep dorëheqjen. Zonja Qato sqaroi se dorëheqja erdhi pas akuzave të kompanisë Gjoka Konstruksion se ajo kishte skualifikuar në mënyrë të padrejtë këtë kompani nga tenderi për ndërtimin e tunelit të Skarficës.

Dorëheqja e Qatos vinte disa muaj pasi paraardhësi i saj Afrim Qëndro u shkarkua pas skandalit me tenderin e Unazës së Madhe dhe kompanisë fantazëm DH Albania.

Pas më shumë se një viti shtyrje të vendimit për shkak të ankimimeve dhe hetimeve, tenderi për ndërtimin e tunelit të Skarficës iu dha kompanisë Gjoka Konstruksion nga KPP në korrik të 2020 dhe në gusht nisi puna për ndërtimin e tij.

Afati për përfundimin e tunelit është gushti i vitit 2022.

Nga e gjithë rruga Kardhiq – Delvinë, tre segmentet e para (gjithsej 16.6 km) kanë përfunduar. Segmenti 4, 5, 6 dhe 7 janë ende duke u ndërtuar ndërsa segmeti 8 përfshin përforcimin e skarpateve dhe të gjitha pjesët e sigurisë rrugore.

E gjithë rruga ka kushtuar rreth 60 milionë euro dhe pritet që të shkurtojë distancën Tiranë – Sarandë me tre orë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>